Dogana në vitin 2021 grumbulloi 1.37 miliardë euro

Dogana në vitin 2021 grumbulloi 1.37 miliardë euro

1.37 miliardë euro janë të hyrat që ka arritur t’i inkasoj në vitin 2021 Dogana e Kosovës, ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Agron Llugaliu.

Në një konferencë për media, ka thënë se ky vit ka qenë sfidues për Doganën, por se kanë arritur të tejkalojnë pritshmëritë.

Sipas Llugaliut, rritja e vëllimit të të hyrave është një nga sfidat me të cilat është përballur Dogana gjatë vitit që lamë pas.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu

“Dogana ka pasur një strategji në ofrimin e kushteve për të gjithë, reformë të proceseve kyçe për evazion fiskal dhe kemi pasur një bashkëpunim me biznese dhe qytetarë”.

“Të hyrat nga Dogana e Kosovës janë 1.37 miliardë euro apo 320 milionë më shumë se vitin e kaluar. Kemi pasur të hyra edhe 16 për qind më shumë se vitin 2019. Kjo është bërë pa ndryshime në norma fiskale”, ka njoftuar ai.

Ndërkohë, ka thënë se ka pasur rritje të importit krahasuar me vitet paraprake, e që përfshin 4.6 miliardë euro.

“Ajo që kemi vërejtur se ka pasur të hyra më shumë se 30 për qind, ne kemi vërejtur se ka rënie të ankesave të bizneseve dhe na tregon se ka një gatishmëri për t’i paguar taksat”.

“Te importi kemi pasur 4.6 miliardë euro, krahasuar me vitet paraprake ka pasur 3.5 miliardë euro”, është shprehur Llugaliu, teksa ka shtuar se rritje ka edhe në aspektin e mallrave të konfiskuara./Insajderi.com