Dogana parandalon 30 tentime të kontrabandimit për dy muaj

Dogana parandalon 30 tentime të kontrabandimit për dy muaj

30 raste të tentimit të kontrabandimit janë parandaluar nga Dogana e Kosovës gjatë dy muajve të parë të vitit 2021, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, i cili tha se pandemia ka ndikuar në të gjitha sferat ekonomike në Kosovë, për çka shton se ka pasur ulje të rasteve të kontrabandimit.

“Nuk mund të themi që kemi kontrabandim të madh të mallrave, Dogana gjithmonë është në krye të detyrës dhe vazhdon t’i parandalojë rastet e dyshimta të kontrabandimit, gjatë dy muajve të parë të vitit 2012 i kemi parandaluar 30 raste të tentim kontrabandimit. Viti i kaluar ka ndikuar edhe në ekonomi, nëse merret si shembull ka ndikuar edhe në uljen e kontrabandimit dhe mund të jetë një e mirë prej pandemisë për arsye të ndalimit të qarkullimit të lëvizjes”, ka thënë ai për EO.

Stavileci ka bërë të ditur se mbi tetë përqind janë rritur të hyrat nga Dogana e Kosovës në këtë fillim vit.

“Të hyrat e këtij fillimi-viti në Doganën e Kosovës janë mjaft të mira dhe kemi një fillim vit të mbarë në aspektin e mbledhjes së të hyrave, por zakonisht aspekti i mbledhjes së të hyrave është e ndërlidhur edhe me performancën e ekonomisë së Kosovës, për momentin se flasim jemi rreth 8% më shumë se viti i kaluar, pra periudha janar-shkurt 2021 me periudhën janar-shkurt 2020. Nëse në vitin 2020 kemi pasur deri në 158 milionë euro tani kemi rreth 170 milionë euro që është 8% apo disa milionë më shumë se viti i kaluar”, është shprehur ai. /Insajderi.com