Më 3 mars, Gashi pati deklaruar se nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e komisioneve për përzgjedhjen e drejtorëve të QKUK-së. Por, në dokumentin e siguruar nga Shqip, rezulton e kundërta.

Dokument/ Agreta Gashi, kundërligjshëm kryesuese e komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të QKUK-së

Dokument/ Agreta Gashi, kundërligjshëm kryesuese e komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të QKUK-së

“Aty(Komisionin për Shëndetësi) janë thënë shumë të pavërteta, nga secili të pavërteta, edhe nga miku im Haxhi Avdyli të cilit kam qef shumë me ia thanë në fytyrë këto që po t’i them ty, janë thanë shumë të pavërteta, ma së pari unë nuk jam, unë nuk kam qenë në komisionin për përzgjedhjen e drejtorëve, deri tash në QKUK-së janë ndërruar 22 drejtorë në klinika”.

Kështu pati deklaruar kryesuesja e bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj – Gashi, me 3 mars për Klan Kosova, duke mohuar se ka qenë pjesë e komisioneve për zgjedhjen e drejtorëve të klinikave të QKUK-së.

Por, në dokumentin e siguruar nga Shqip, rezulton e kundërta.

Më 24 janar 2022, Gecaj – Gashi ishe zgjedhur kryesuese e Komisionit për përzgjedhjen e gjashtë drejtorëve të klinikave në QKUK.

Kështu, duke rënë në kundërshtim me statutin e SHSKUK-së, i cili parasheh që bordi i SHSKUK-së ta monitoroj indirekt punën e komisioneve për përzgjedhjen e drejtorëve.

Në statutin e SHSKUK-së, neni 13 Menaxhimi Operativ i SHSKUK, pika pesë tregon se: “Drejtori i Përgjithshëm mbikëqyrë zbatimin e përzgjedhjes së Drejtorëve të njësive përbërëse të SHSKUK, përfshirë pozitat e Drejtorëve të Klinikave të QKUK, në bazë të konkursit publik, në pajtim me ligjin”.

I njëjti i raporton më pas bordit, në këtë rast Gecaj – Gashit, lidhur me mbarëvajtjen e procesit.

Neni 11 “Drejtimi i SHSKUK”, pika 1 thotë se: “SHSKUK drejtohet nga Bordi Drejtues. 2. Bordi Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i SHSKUK”.

Por, Gecaj – Gashi mohon se i pamundësohet kjo e drejtë, duke u arsyetuar në faktin se statuti parasheh një të deleguar të bordit në komision.

“Në statutin e SHSKUK-së dhe ligjin për zyrtarë publik. Edhe mbikëqyrës por aty thotë një nen ku duhet të jetë i deleguar një përfaqësues i fakultetit të mjekësisë dhe një i deleguar nga bordi drejtues”.

Anëtari i Komisionit për shëndetësi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu thotë se në rastin e Gecaj – Gashit, pamundësohet mbikëqyrja e bordit.

“Sipas ligjit, bordi i SHSKUK-së është organ mbikëqyrës dhe s’ka si ta realizojë detyrën e saj nëse vet kryesuesja e bordit është edhe kryetare e komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave sepse është interferim i drejtpërdrejt dhe e pamundëson organin mbikëqyrës të bordit”.

Rekomandohet anulimi i konkursit, Gecaj – Gashi kalon nga kryesuese në anëtare

Por, parregullsitë nuk përfundojnë me kaq.

Për shkak të një lëshimi teknik, shefi i sektorit të personelit në QKUK, më 4 shkurt rekomandon anulimin në tërësi të konkursit.

“Duke marrë për bazë të gjitha si më lartë, anulohet konkursi në tërësi për shkak të lëshimit teknik nga Komisioni përzgjedhës, gjatë procesit të printimi të testit me shkrim dhe i njëjti do të shpallet sipas procedurave ligjore”, thuhet në njoftim.

Në përzgjedhjen e dytë të anëtarëve të komisionit, Gecaj – Gashi kalon nga kryesuese në anëtare.

Për këtë, ajo arsyetohet se nuk kishte kohë për punët e kryesueses.

“Unë jam anëtare e komisionit, sepse nuk kam pas kohë me u marrë më tepër me këtë punë për shkak të obligimeve të mia. A din çka, unë sot kam punë më të rëndësishme se me u marrë me juve”, ka thënë ajo.

Ministria e Shëndetësisë heshtë

Këtë parregullsi, Haxhiu thotë se e ka ngritur tek ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Nga i cili, ka kërkuar shkarkimin e bordit.

“E kemi ngrit këtë çështje dhe kemi kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ta shkarkojë këtë bord. Ministri ka kërkuar sqarime mbi situatën edhe pastaj do të del me qëndrim”, u shpreh deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Shqip.com ka dërguar pyetje në adresë të MSH-së por të njëjtët, nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk ka dhënë as SHSKUK-ja.

Gecaj – Gashi, që nga prilli i vitit 2021 ishte vënë në krye të Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar.

Gecaj – Gashi kishte shkelur ligjin edhe në shtator të 2021-tës.

Shqip.com kishte raportuar se si anesteziologia shkelte Ligjin për Duhanin i cili ndalon pirjen e duhanit në institucione publike.

Ajo ishte arsyetuar se fotot ishin shumë të vjetra, “atëherë kur s’ka qenë në fuqi ligji anti-duhan”.

Ndërsa ka kërkuar mirëkuptim, meqë “i gjithë personeli shëndetësor po lufton me virusin duke punuar nga 30 orë pa pushim, duke rrezikuar veten dhe familjet tona”./Insajderi.com