Donika Gërvalla pranon detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Donika Gërvalla pranon detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, të martën, ka pranuar detyrën ministrore që iu është dhënë një ditë më parë nga Kuvendi, me votimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, përcjell Insajderi.

Pasi u njoh me strukturën aktuale, Gërvalla ka kërkuar nga zyrtarët e Ministrisë qasje bashkëpunimi dhe punë ekipore, me qëllim që të arriturat dhe suksesi i përbashkët t’i atribuohet shtetit të Kosovës.

“Është nder i madh për mua të jem udhëheqëse e Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, prandaj do ta kisha lutur secilën dhe secilin nga ju, të trokitni pa hezitim në dyert e Kabinetit tim, të ofroni eksperiencën dhe mbështetjen tuaj profesionale, në mënyrë që bashkë të mbrojmë sa më mirë interesat e shtetit tonë”, ka thënë ndër të tjera drejtuesja e re e diplomacisë kosovare.

Sot, pranim dorëzimi i detyrave ka nisur me atë të kryeministrit. Albin Kurti zyrtarisht ka marrë detyrën e kryeministrit nga ish-shefi i Qeverisë në detyrë, Avdullah Hoti./Insajderi.com