Ish anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, që kishte qenë edhe shefe e grupit parlamentar të partisë në Kuvend, ende pa u bërë një muaj nga dorëheqja prej partisë së Ramush Haradinaj është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Këtë anëtarësim, Kadaj-Bujupi e ka bërë sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së dhe përmes një deklarate formalizoi vendimin e saj si “një vazhdim në lëvizjen që u qëndroi parimeve të veta”.
“Ky vendim imi është një vazhdim në lëvizjen që u qëndroi parimeve të veta, pavarësisht nuk u tundua asnjëherë për pushtet. Lëvizja më priti ngrohtë për të arritur bashkërisht zhvillimin e qëndrueshëm”, ka thënë Kadaj-Bujupi në deklaratën e saj.
Sipas Kadaj-Bujupit, anëtarimin në VV është një përpjekje për të jetësuar ëndrrën për Republikën.
“Qe 7 muaj bashkudhëtuam në rrugën e shenjtë për Republikën. Duke qenë bashkë ne ia dolëm, e fituam betejën e parë. Ishim te pandarë gjithkund. E zgjuam popullin për të kërkuar ndryshim. Për të jetësuar ëndrrën duhet shumë punë e unitet, duhet vullnet nga ne e shoqëria civile”, citohet të ketë thënë Kadaj-Bujupi.
E zyrtari i lartë i kësaj Lëvizjeje, Hydajet Hyseni, duke e quajtur “shqetësim absurd” rritjen e Vetëvendosjes, aderimin e Donika Kadajt – Bujupi në të e cilësoi si faktor në shndërrimin e VV-së në faktor bashkues.