Dorëzohen vrasësit e kushërinjve në Laç

Dorëzohen vrasësit e kushërinjve në Laç

Janë dorëzuar në polici dy ditë pas ngjarjes të akuzuarit për vrasjen e dy kushërinjve në Laç. Të dyshuarit janë të moshës 25 dhe 28 vjeç.

Policia njofton se si rezultat i punës hetimore të kryer nga grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Sipas njoftimit policia në vijim dhe pa ndërprerë ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

“Njëkohësisht Grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar që ata të dorëzoheshin organeve të drejtësisë”.

“Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin, pas negociatave me familjarët, janë vetë dorëzuar në Polici”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lidhur me këtë rast policia është duke kompletuar dokumentacionin e nevojshëm.

“Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal”, thuhet më tej në njoftim.