Dorëzohet Mustafa – kërkon heqjen e demarkacionit si kusht për liberalizim vizash

Dorëzohet Mustafa – kërkon heqjen e demarkacionit si kusht për liberalizim vizash

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa thotë t’iu ketë kërkuar zyrtarëve të BE-së të ndryshojnë kushtin e demarkacionit për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Gjatë shënimit të një vjetorit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, Mustafa ka thënë se ka kërkuar që të modifikohet kushti i demarkacionit duke lejuar liberalizimin e vizave por duke kushtëzuar që brenda një kohe të kryhet ky proces.

“Kam kërkuar, po ashtu, në Maltë, që të rishqyrtohet edhe një herë ky kriter (demarkacioni) sepse konsiderojmë se është kriter i tepërt për Kosovën. Ose të gjendet ndonjë alternativë që kriteri të modifikohet në mënyrë që të mos aplikohet si kusht striktë në mënyrë që ne njëherë ta plotësojmë e pastaj të marrim të drejtën e liberliaizmit të vizave. Por, të na jepet një kohë që nëse ne nuk e plotësojmë të na tërhiqet liberalizimi i vizave”, ka thënë Kryeministri Mustafa.

“Shpresoj se ky propozim do të trajtohet në institucionet e BE-së. Por, sot s’mund të premtoj se çfarë përgjigjesh do të marrim sepse varet prej tyre”, ka shtuar ai.

Demarkacioni vazhdon të mbetet kushti kryesor i paplotësuar i institucioneve të Kosovës për liberalizimin e vizave. /Insajderi.com