Dorëzohet në polici i dyshuari që kishte goditur për vdekje një person në Ferizaj

Dorëzohet në polici i dyshuari që kishte goditur për vdekje një person në Ferizaj

Të martën është dorëzuar në Policinë e Kosovës personi i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në një përleshje fizike në Ferizaj, ku kishte goditur për vdekje një 50 vjeçar, njofton Insajderi.

I dyshuari B.SH., është paraqitur në stacionin policor bashkë me avokatin, ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Ferizajt.

“Ju njoftojmë se sot me 02.03.2021 rreth orës 17:30, B.SH. (m/Kosovar) i dyshuari i cili ishte larguar nga Republika e Kosovës, në prezencë të avokatit mbrojtës është paraqitur në Sektorin e Hetimeve Rajonale në Ferizaj ku i njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Me urdhër të Prokurorit kujdestar të krimeve të rënda, ndaj të dyshuarit është marrë masa e ndalimit për 48 orë deri në kompletimin e lëndës”, thuhet në njoftim.

Përleshja fizike mes viktimës dhe të dyshuarit kishte ndodhur më 21 shkurt 2021, në një pompë të derivateve në fshatin Bibaj. Përleshja kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje mes tyre, ku si pasojë e lëndimeve të marra viktima kishte ndërruar jetë./Insajderi.com