Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep ka se thënë se në vendimin e tij për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, gjykatësi i procedurës paraprake ka vërejtur se janë përmbushur procedurat për kalimin e dosjes gjyqësore te trupi gjykues brenda fundit të këtij viti.
Siç raporton Betimi për Drejtësi, në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka thënë se në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, më 29 shtator Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit.
Sipas saj, ai konstatoi se ekziston ende rreziku që i akuzuari të arratiset, pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë krime të tjera.
“Në vendimin e tij, Gjykatësi i Procedurës Paraprake rikujton afatet që i janë vendosur Prokurorisë dhe Mbrojtjes për të avancuar përgatitjet për gjykim dhe vëren se janë përmbushur hapa të rëndësishëm proceduralë për kalimin e dosjes gjyqësore te trupi gjykues brenda fundit të këtij viti. Bazuar në këtë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se vazhdimi i paraburgimit të z. Thaçi nuk është disproporcional”, ka thënë Griep.
Lidhur me këtë kërkesë, bëri të ditur se të premten më 7 tetor, Zyra Administrative njoftoi se Ministria e Drejtësisë në Kosovë shprehu pajtimin me propozimin dhe dërgoi të dhënat e personave të caktuar për kontakt.
Kurse, tha se në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, më 6 tetor, Paneli i Apelit nxori vendim lidhur me kërkesat e ekipeve të mbrojtjes ku pretendojnë se ZPS-ja nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj apelit të tyre në përputhje me Rregulloren.
Paneli i Apelit, tha se nuk u pajtua me këtë pretendim dhe për rrjedhojë e rrëzoi pretendimin e tyre.
“Dje, Paneli i Apelit refuzoi kërkesat e ekipeve të Mbrojtjes për shtimin e numrit të lejuar të fjalëve në kundërpërgjigjet e tyre dhe i ktheu të dyja kundërpërgjigjet pasi tejkalonin numrin e lejuar të fjalëve.
Paneli i Apelit urdhëroi Gucatin dhe Haradinajn të ridorëzojnë kundërpërgjigjet brenda pesë ditësh nga marrja e urdhrit dhe të sigurojnë që janë në pajtim me rregullat përkatëse”, njoftoi Griep.
Sipas saj, më 7 tetor, Zyra Administrative njoftoi Panelin e Apelit se Gucati pagoi gjobën prej 100 eurosh që u vendos si pjesë e dënimit të tij.
Ndërsa, deklaroi se në çështjen Pjetër Shala, Trupi Gjykues ka caktuar datat 18-20 tetor për konferencat përgatitore për gjykim, ndërsa 21 tetorin si datë rezervë.
Ndër pikat që do të diskutohen, ajo tha se janë hetimet, nxjerrja e provave dhe zhvillimi i gjykimit.
Griep tha se përpara fillimit të konferencës për përgatitore për gjykim, mbrojtësi i viktimave dhe Zyra Administrative i kanë paraqitur parashkrime me shkrim Trupit Gjykues.
Në fund ajo bëri të ditur se seancat publike transmetohen me 45 minuta vonesë në faqen e internetit të DHSK-së, në shqip, serbisht dhe anglisht. Sipas saj, personat e interesuar në Hagë mund t’i ndjekin seancat nga galeria për publikun e Gjykatës.