Dosja e trashë penale e të dyshuarit për vjedhjen e revoles së djalit të Rifat Jasharit

Dosja e trashë penale e të dyshuarit për vjedhjen e revoles së djalit të Rifat Jasharit

Dosja penale e Elbasan Karaçices është e trashë. Organet e ndjekjes kanë regjistruar 15 raste penale që kryesisht janë vjedhje, shkruan Insajderi.

Bazuar në burimet brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Karaçica shquhet për vjedhje të veturave dhe mes tjerash, dyshohet se ka tentuar ta godas një polic me veturë.

Veprat e tij penale datojnë që nga nëntori i vitit 2014. Nga to, përmendim veprat: Pjesëmarrje në rrahje, vjedhje veturash, mosrespektim të urdhërit policor, sulm fizik ndaj policisë e urdhërarrest aktiv nga Gjykata Themelore në Drenas.

Elbasan Karaçica dyshohet gjithashtu se i ka vjedhur armën Bashkim Jasharit, djalit të Rifat Jasharit dhe gjeneralit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Më 8 maj të këtij viti në fshatin Komoran, Karaçica dyshohet se në bashkëpunim me të dyshuarin tjetër Ahmet Kamberi, thyen xhamin e veturës së Bashkim Jasharit dhe ia vodhën një çantë në të cilën Jashari ruante armën e tij “Glock 17”.

Ndonëse ndodhen në kërkim, Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i kap të dyshuarit prej disa javësh.

Madje, i dyshuari Elbasan Karaçica, pothuajse çdo ditë sfidon Policinë e Kosovës përmes rrjeteve sociale ku publikon fotografi të tij duke lëvizur lirshëm nëpër Kosovë./Insajderi/