Milovan Drecun, kryetar i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ka thënë se populli serb ka treguar se mund të luftojë me këmbëngulje për lirinë e tij të lëvizjes.
Ai në Televizonin Publik të Serbisë, ka thënë se Kosova po ndërmerr hapa të njëanshëm.
“Prishtina po ndërmerr hapa të njëanshëm që shkelin rëndë Marrëveshjen e Brukselit dhe tregon se nuk do ta respektojë atë, veçanërisht në pjesën kryesore që lidhet me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e reciprocitetit të targave.
Mëngjesin e së hënës, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikën kufitare, Jarinje, për ta zbatuar reciprocitetin me Serbinë për targat.
Një numër i serbëve dolën në rrugë, pos protestave – bllokuan rrugën me dhjetëra kamionë.
Ndaj këtyre zhvillimeve ka pasur diskutime të hënën edhe në Kuvendin e Kosovës, ku sipas opozitës “kryeministri Kurti po bën show”.
Ndërkaq, edhe drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkoviq, e ka cilësuar këtë ngjarje si “sjellje skandaloze të Albin Kurtit”. /Insajderi.com