Presidenti i Komitetit për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, Milovan Drecun, deklaroi të mërkurën se takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili u mbajt në Bruksel nuk ishte i përgatitur mirë.
Sipas tij, në takimin mes dy liderëve “kishte një prapambetje, jo progres”, dhe vlerësoi se Mathew Palmer dhe Miroslav Lajçak “humbën plotësisht përgatitjen për takimin”, raporton Tanjug, transmeton Insajderi.
Drecun beson se përgatitja për takimin nuk ishte bërë si duhet, sepse kryeministri Kurti, “duhej të vihej në një pozitë që të vuante sanksione të caktuara nëse do të sillej si më parë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik./Insajderi.com