Drejtorët në shkollat e Prishtinës të papërgatitur profesionalisht

Drejtorët në shkollat e Prishtinës të papërgatitur profesionalisht

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka evidentuar si një nga faktorët ndikues në cilësi avancimin e profesionalizmit te drejtorët e shkollave, për të cilin ka thënë se nuk është i nivelit të duhur, transmeton Insajderi.

Ndërsa për përmirësim komuna sipas Shalës ka formuar Asociacionin e drejtorëve ku do të ofrohen trajnime të ndryshme.

“Gjithashtu për të avancuar edhe drejtorët ne si drejtori e Arsimit në nivel të komunës e kemi bërë asociacionin e drejtorëve. Qëllimi i kësaj është zhvillimi profesional i drejtorëve të shkollave. Ne e dimë që drejtori duhet të jetë mësimdhënës ose në fakt e ka një master në udhëheqje ose e përfundon një trajnim për udhëheqje arsimore gjë që në terren është shumë më ndryshe duke i parë vështirësitë e menaxhimit të shkollave ne kemi marrë edhe rekomandime e kërkesa nga drejtorët që ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë ajo për EO.

“Ku përmes këtij asociacioni ne do të ofrojmë trajnime, punëtori, takime të ndryshme me drejtorë të shkollave. Përmes ngritjes profesionale të drejtorëve synojmë që të ngrisim edhe cilësinë në shkolla”, shtoi tutje Shala.

Kështu është shprehur ajo derisa ka shtuar se cilësia e arsimit kryesisht varet nga kuadro që vijnë nga Fakulteti i Edukimit.

Më tej ajo ka thënë se faktor ndikues në cilësinë arsimore është edhe politika që bën Ministria e Arsimit, specifikisht kurrikulat të cilat jo se janë kuptuar denjësisht nga mësimdhënësit në shkollat e Prishtinës.

“Janë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen cilësisë në nivel të një shkolle, komune apo vendi. Mendoj që e para është zhvillimi profesional i mësimdhënësve apo ofrimi i programeve të duhura nga fakultetet të cilat ofrojnë profile të cilat janë të dedikuara për mësimdhënie. Varet se çfarë kuadro marrim nga Fakulteti i Edukimit sepse prioritet për t’u punësuar në arsim është ky. Me ato kuadro ne duhet të zhvillojmë cilësinë në shkollat tona”.

“Gjithsesi në cilësi ndikon edhe politikat që i bën Ministria e Arsimit konkretisht kurrikula dhe vështirësitë të cilat i hasin mësimdhënësit gjatë implementimit të kurrikulës. Jemi dëshmitar që kurrikula ka ndryshuar mirëpo nuk është që është bërë aq shumë zhvillim profesional për mësimdhënës në mënyrë që të kuptojnë denjësisht kurrikulën dhe faktikisht kjo pjesa e zhvillimit të kompetencave të fokusohemi më shumë te zhvillimi i kompetencave te nxënësit përpos rezultateve të cilat janë obligative”, thotë tutje Shala. /Insajderi.com