Drejtori e rrahu punëtorin me grushte kokës, Gjykata në Prizren e dënon me gjobë

Drejtori e rrahu punëtorin me grushte kokës, Gjykata në Prizren e dënon me gjobë

Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor Besim Baraliun, kryeshef ekzekutiv i Hidroregjionit Jugor për veprën e sulmit fizik ndaj një punëtori dhe shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore.

Viktima Izet Aliu ka bërë të ditur për gazetën Insajderi se Baraliu është dënuar me gjobë në vlerë 500 euro për veprën e lartcekur.

Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë për shkak se Besim Baraliu nga fshati Bukosh i Suharekës me banim në Prizren, me datën 16 maj 2016, rreth orës 10.40 minuta në Prizren në rr.Wesli Clark në ambientet e Hidroregjionit Jugor, i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore personit tjetër, i cili kishte rezultuar me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit të personit tjetër.

Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Izet Aliu kishte shkuar për t’u paraqitur para komisionit disiplinor të kësaj kompanie, i pandehuri kishte dalë nga zyra e tij dhe pas një fjalosjeje në mes të pandehurit dhe të dëmtuarit, i pandehuri e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grusht në pjesën e majtë të kokës, me ç’rast i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe atë ndrydhje në anën e majtë të kokës, lëndime të përshkruari më për së afërmi në mendimin dhe konstatimin e ekspertit mjeko-ligjor të datës 03.06.2016.

Në arsyetimin e Prokurorisë, thuhet se Njësiti i hetuesisë në Prizren ka parashtruar kallëzim penal me numër 2016-GA-1236, të datës 18.05.206 kundër të pandehurit Besim Baraliu, nga Prizreni për shkak të veprës penale sulmi nga neni 187 paragrafi 1 të KP-së dhe veprës penale lëndim i lehtë trupor nga neni 188 paragrafi 1 në paragrafin 1.4 të Kodit Penal.

“Pas analizimit të kallëzimit penal si dhe shkresave të tjera të lëndës vërtetohet se i pandehuri me veprimet e tij ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 188i KP”, thuhet në arsyetim.

Gjendja faktike e përshkruar në dispozitiv e kësaj aktakuze është vërtetuar nga raporti mjekësor i Spitalit Regjional në Prizren, me nr.3866 të datës 16.05.2016, nga mendimi i ekspertit mjeko-ligjor, dr. Musa Gashi, të datës 03.06.206, me të cilin vërtetohet se i dëmtuari Izet Aliu ka pësuar lëndime të lehta trupore. Nga deklarata e të dëmtuarit të dhënë në stacionin policor në Prizren, me datë 16.05.2016, në deklaratën e të pandehurit të dhënë në stacionin policor në Prizren me datë 16.05.206 si dhe nga shkresat e tjera.

Gjykata Themelore në Prizren nuk ka kthyer përgjigje për gazetë lidhur me vendimin.