Drejtori i deritashëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kreshnik Gashi, ende nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministrit Avdullah Hoti, për të liruar pozitën që mbanë, transmeton Insajderi.
Sipas ligjit në fuqi, emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të AKI-së, bëhet bashkërisht nga presidenti dhe kryeministri.
Gashi është kontaktuar lidhur me atë nëse ka pranuar këtë kërkesë, por nuk ka dhënë përgjigje, raporton REL.
Në njoftimin e 17 dhjetorit, thuhet se kryeministri Avdullah Hoti i ka kërkuar udhëheqësit të Intelegjencës që të ‘lirojë’ pozitën.
Në nenin 3, ku radhiten “Funksionet e ndaluara të AKI-së”, përcaktohet se AKI nuk ka funksione ekzekutive. Në këtë mënyrë, AKI nuk ka: të drejtën të përdorë forcë direkte apo indirekte.
Ky nen ndërlidhet me veprimin tashmë të konfirmuar në Presidencë, ku zyrtarë të AKI-së kanë tentuar të hapin kasafortën e sigurisë, e cila përmban dokumente konfidenciale për presidentin. Ngjarja ka ndodhur më 5 nëntor, në ditën kur Vjosa Osmani ka marrë detyrën e ushtrueses së detyrës, pasi ish-presidenti Hashim Thaçi, dha dorëheqje dhe udhëtoi për në Hagë ku është duke u përballur me aktakuzën për krime lufte. /Insajderi.com