Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka arsyetuar angazhimin e 85 inspektorëve të rinj, të cilët të martën kanë filluar punën në këtë institucion, për mbikëqyrjen e masave të reja kundër COVID-19.
Angazhimin e këtyre inspektorëve e kanë kundërshtuar shoqëri civile e aplikantë duke thënë se të pranuarit nuk kanë përvojë të mjaftueshme.
Por drejtori ekzekutiv i AUV-it, Flamur Kadriu, ka thënë se shumica e inspektorëve të rinj, kanë përvojë pune në AUV.
Ka pohuar se angazhimi i tyre ka qenë mjaft i domosdoshëm.
“E mira është që sipas informatave të përafërta, një numër i madh i tyre janë inspektor që ne i kemi pasur të angazhuar në periudhën e kaluar, pra kanë punuar diku gjashtë muaj. Mirëpo, atyre iu ndërpre kontrata pasi iu kaloi afati i kontratës”.
“Për neve është një ndihmesë e madhe, sepse një pjesë e tyre është me përvojë për punën që e kanë kryer para gjashtë muajve, tash vetëm janë duke vazhduar, që faktikisht edhe neve po na ndihmon për realizimin e punës së tyre më shpejt në terren”, ka deklaruar Kadriu.
Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë deri më tash ka pasur vetëm 11 inspektorë, të cilët njëkohësisht janë të angazhuar edhe për kontrollin e sigurisë ushqimore. Ndërsa, atyre u janë bashkëngjitur edhe 85 inspektorë të terrenit./SHQIP.com