Drejtori i Policisë: 10 zyrtarë policorë u lënduan në Mitrovicën Veriore gjatë aksionitkundër kontrabandimit me mallra

Drejtori i Policisë: 10 zyrtarë policorë u lënduan në Mitrovicën Veriore gjatë aksionitkundër kontrabandimit me mallra

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se gjatë operacionit kundër kontrabandimit me mallra në Mitrovicën e Veriut, 10 zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore, përcjell Insajderi.com.

Në një konferencë për media, Mehmeti tha se gjatë kthimit të pjesëtarëve policorë nga Mitrovica ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të tyre – për çka është dashur që Policia të ndërmarr veprimet krahas situatës së krijuar.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës

Sipas tij, policët e Kosovës janë sulmuar me armë zjarri, me granata dore, të cilat përdoren edhe në luftëra, dhe po ashtu ka pasur hedhje edhe të shok bombave.

Po ashtu, ai tha se ka dyshime që lidhur me operacionin kundër kontrabandimit të mallrave ka pasur rrjedhje të informacionit.

“Operacioni ka filluar gati një vit më parë dhe veprime operacionale ka pasur gjatë gjithë kohës. Operacioni policor ka pasur në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicë së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Në të gjitha rajonet e tjera ka kaluar pa problem, përveç në pjesën veriore të Mitrovicës.

Grupe kriminale në mënyrë të organizuar kanë bllokuar rrugën, kanë hedhur bombola gazi, kanë përdorur mjetet transportuese, kanë shtënë me armë zjarri, kanë hedhur shok-bomba, granata të dorës, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganor e policor që ishin në kryerje të detyrës.

Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarr veprime policore me mjete të ndryshme dhe të nevojshme ligjore me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve policor por edhe qytetarëve që nuk kanë pasur të bëjnë me rastin”, tha Mehmeti.

Kurse, në këtë konferencë, ministri i Punëve të Brendshme, ka kërkuar nga autoritetet zyrtare që kryesit e sulmeve ndaj policëve të Kosovës, të vihen sa më parë para drejtësisë.

“Kosova sfidohet seriozisht nga krimi, institucionet tona janë të angazhuara të sigurojnë një ambient të qetë. Aksioni i sotëm rezultoi i suksesshëm me konfiskim të mallrave dhe arrestim të kontrabanduesve të tyre e asnjëherë ndaj qytetarëve të tjerë. Tashmë keni informata se janë tetë zyrtarë policorë të lënduar, ftoj institucionet përgjegjëse të reagojnë karshi atyre që sulmuan zyrtarë”, ka thënë Sveçla./Insajderi.com