Drejtori i Policisë flet për skandalin e djalit të Shpend Maxhunit dhe hetimet ndaj policëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një intervistë për Periskopin ka folur për rastin e përfshirjes në skandalin me armë e drogë të djalit të drejtorit të AKI’së, Shpend Maxhunit.

Qalaj ka thënë se Policia ka trajtuar këtë rast në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se nuk ka pasur asnjë tendencë për ta mbajtur fshehtë atë.

“Më vjen keq që për këtë rast është diskutuar mjaft nëpër media dhe te njerëzit nga perspektiva të ndryshme. Ajo çka mund të them unë si drejtor i Policisë është që rasti është trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne nuk i bëjmë publike këto raste. E jona është që rastin ta evidentojmë, t’i marrim deklaratat dhe ta menaxhojmë si duhet. Rastet që ndodhin i fusim në raportin ditor. S’ka pasur tendenca për ta fshehur”, ka thënë Qalaj.

Ai ka folur edhe për fillimin e hetimeve ndaj zyrtarëve policor që dyshohet se zbuluan këtë informacion për media.

“Në media ka dalë një fotografim i rastit komplet. Fotografia ka qenë nga sistemi ynë informativ. Të gjitha shënimet që janë në atë sistem janë të klasifikuara dhe askush nuk ka të drejtë të nxjerr informata që janë të klasifikuara. Ne nuk po flasim për përmbajtje, por për pjesën e raportit që ka dalë në media”, ka thënë Qalaj.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Policia ka hetuar zyrtarët që kanë publikuar informata të tilla të klasifikuara.

“Ne kemi pasur rrjedhje të informatave të tilla edhe më herët, dhe për këtë jo vetëm zyrtarë policor por edhe eprorë janë suspenduar, pas dyshimeve se ata kanë publikuar informata në mënyrë të paautorizuara. Policia e Kosovës ju garanton që edhe rastin në fjalë e ka trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Kallëzimi penal është dërguar në Prokurori një javë pasi ka ndodhur rasti. Kjo është periudhë kohore për trajtimin e rasteve për persona që nuk janë arrestuar. Kemi pasur procedurë normale. Prokurori ka vendosur që persona të lirohen”, deklaroi ai.