Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se hetimet për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit ende nuk janë në fazën përfundimtare, përcjell Insajderi.com.
Kështu ka deklaruar ai në raportimin para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke shtuar se janë në pritje të disa rezultateve të ekspertizave që janë dërguar jashtë vendit.
“Sa i përket rastit të fundit në Gllogjan ne kemi bërë angazhimet tona. Aktualisht jemi duke punuar, për këtë rast kemi edhe arrestime. Hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare. Hetimet janë ende në një fazë të caktuar, s’mundemi me thënë në fazën fillestare, por kanë bërë disa progrese, jemi duke i pritë edhe disa ekspertiza të cilat i kemi dërguar jashtë vendit, jemi rezultatet duke i pritë.
Kurse, kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, pyeti Mehmetin lidhur me vrasjet e pazbuluara gjatë 20 vjetëve, teksa ky i fundit tha se të gjitha rastet janë dërguar në Prokurori.
Ndryshe, mbrëmjen e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit ndodhi një sulm me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës i cili po udhëtonte nga Gjakova.
Si pasojë e sulmit mbetën të vdekur tre persona, dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Ndërkaq, për këtë rast, më 11 dhjetor u arrestuan tre persona, babai dhe dy djemtë e tij, të dyshuar se kanë kryer vrasjen./Insajderi.com