Drejtori i policisë nuk tregon nëse janë të gatshëm të ofrojnë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së

Drejtori i policisë nuk tregon nëse janë të gatshëm të ofrojnë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka refuzuar të përgjigjet nëse PK-ja është e gatshme për të ofruar mbrojtjen në liri për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Gjykata Speciale ka lëshuar një urdhër ndaj Policisë së Kosovës, për të dhënë përgjigje në detaje lidhur me mundësinë se nëse ata mund të sigurojnë mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ndaj, për këtë çështje Mehmeti është pyetur të martën në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi.

Drejtori i policisë ka kërkuar “të kursehet” nga kjo pyetje, pavarësisht insistimit të Mehmeti-Selimit për të marrë përgjigje.

Kësaj të fundit i ka thënë se duhet të pyes Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Besoj që opinioni publik tashmë e di që na është bërë kërkesa nga avokatët mbrojtës. Ne kemi dërguar kapacitetin dhe aftësinë tonë rreth mundësisë për me siguruar lirinë me kusht. Ndërsa sa i përket pyetjes së Dhomave të Specializuara, kisha pas dëshirë të në kurseni dhe këtë pyetje të ua bëni atyre”, ka thënë Mehmeti.

Ndryshe, aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Në aktakuzë thuhet se midis marsit 1998 deri në shtator të vitit 1999, Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi gjithë Kosovën përmes frikësimit, keqtrajtimit, ushtrimit të dhunës dhe eliminimit të paligjshëm të atyrë që konsideroheshin si kundërshtarë./Insajderi.com