Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka treguar në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje se serbët lokalë që bllokuan rrugët afër pikave kufitare; Jarinje dhe Bërnjak “kishin qëllim që t’i shkatërronin këto dy pika kufitare me ekskavatorët që i kishin vendosur në rrugë si bllokadë”.
Ai në formë kronologjike ka treguar sesi më 19 shtator “njerëz të ndikuar politikisht nga Beogradi” kishin mbajtur mbledhje për të mobilizuar qytetarët serbë të bllokojnë rrugët.
“Mëngjesin e datës 20 shtator, kemi pranuar informacione nga agjencione të sigurisë që operojnë në Republikën e Kosovës, të detajuara, lidhur me kohën, vendin, mjetet dhe urdhrin për t’i bllokuar rrugët”.
“Aty bie në sy sidomos prezenca e ekskavatorëve, të cilët sipas informacioneve të mbledhura nga terreni, kanë qenë me qëllim që të shkatërrohen pikat kufitare, me theks të posaçëm, konstruksioni me kontejnerë i vendosur për Policinë Speciale”, deklaroi Mehmeti.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tregoi edhe për planin operativ të cilën e përdorën gjatë fazës sa qëndruan në Jarinje dhe Bërnjak.
“Zakonisht ndërrimet i kanë bërë çdo 6 orë, është vërejtur mungesa e dëshirës së qytetarëve për t’iu bashkangjitur protestës”.
“Shpeshherë janë përdorur punëtorët e organizatave publike. Sa për informacion, edhe automjetet që janë përdorur, shumica janë të organizatave publike”, pohoi Mehmeti.
Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?
Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.
Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.
Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.
Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën shoë”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.
Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.
Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.
Gjatë asaj kohe, edhe Serbia nuk qëndroi duarkryq. Mediat serbe publikuan disa pamje ku shiheshin dhjetëra autoblinda që u nisën për në kufi.
Derisa gjithçka po ndodhte në vazhdimësi, aleatët ndërkombëtarë bënin thirrje vazhdimisht për ulje të menjëhershme të tensioneve. Thirrjet ishin pothuajse të njëjta sikurse nga Bashkimi Evropian, edhe nga SHBA-të e vendet e QUINT-it, të cilët kërkuan nga palët që të ulen në tavolinën e bisedimeve.
Madje, ambasadorët e këtyre të fundit i priti në takim kryeministri Kurti, pas së cilit bëri të ditur se vendimi i marrë të hënën do të qëndrojë derisa pala serbe të veprojë sikurse Kosova deri tani, ose që të dyja vendet të vazhdojnë me këtë masë.
Përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë kërkuar të përjashtohen nga reciprociteti me targa, por si përgjigje nga kryeministria e Kosovës gjetën “kompenzimin që do t’u bëhet shumë shpejt bashkëkombasve që do të dëmtohen nga ky vendim”.
Ditët kalonin dhe situata çdo herë vinte e bëhej edhe më e paqartë se çfarë do të ndodhë në vijim. Ushtria serbe nisi provokimet e saj edhe nga ajri.
Për dy ditë me radhë janë parë disa helikopterë serbë duke vëzhguar situatën brenda kufirit të Kosovës, me ç’rast bënë që të reagojë edhe misioni i NATO-s, KFOR, i cili shpeshtoi patrullimet deri në momentin kur edhe u arrit marrëveshja për të vëzhguar terrenin që kishte në dorë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për dy javë rresht. /Shqip.com