Drejtori i Policisë thotë se aksidentet janë rritur pas mbylljes

Drejtori i Policisë thotë se aksidentet janë rritur pas mbylljes

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, deklaroi të martën se aksidentet e trafikut janë rritur në periudhën pas mbylljes si pasojë e pandemisë COVID-19, njofton Insajderi.

Ai në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Divizionit të Komunikacionit rrugor, Jeton Rexhepi, njoftoi se nga fillimi i këtij viti janë shqiptuar mbi 170 mijë gjoba, teksa shtoi se nuk ndihet aspak krenar.

“Në Kosovë për disa vite po përballemi me fluks të madh të aksidenteve dhe në një far forme po janë shkaktar i humbjes së jetës. Studimet qe janë bërë kanë treguar se periudha pas mbylljes totale kanë treguar se ka rritje të numrit të aksidenteve dhe jo vetëm në Kosovë. Periudha pas mbylljes ka ndikuar edhe rastet kur është përdorur dhuna”, deklaroi Mehmeti.

“Policia është me dy operacione aktive njëra ka të bëjë me kyçje e mjeteve të motoçikletave. Gjatë dy javëve ne i kemi konfiskuar 120 skuterë në Kosovë dhe 100 vetëm në Prishtinë. Në operacion kemi të kyçur edhe automjete civile dhe policë që janë me rroba të civilëve, gjatë kësaj jave kemi filluar edhe operacionet përmes dronit. Prej 1 janarit Policia i ka shënuar mbi 170 mijë gjoba dhe kjo nuk është për t’u krenuar, por jemi detyruar t’i marrim këto veprime”, theksoi ai.

Mehmeti shtoi se një prej masave që do të ndërmerret është edhe që shqiptimi i gjobave të bëhet në mënyrë digjitale.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit rrugor Nënkolonel Jeton Rexhepi, ka thënë se aksidente fatale në vitin 2019 kanë qenë 31 derisa këtë pjesë të vitit janë 42. 37 persona kanë vdekur në vitin 2019 ndërkaq 50 janë këtë vit./Insajderi.com