kërkesës së Sindikatës së Pavarur të këtij" />

Drejtori i RTK-së reagon pas kërkesës së sindikalistëve për formimin e një Komisioni Hetues Parlamentar

Drejtori i RTK-së reagon pas kërkesës së sindikalistëve për formimin e një Komisioni Hetues Parlamentar

Drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati ka reaguar pas kërkesës së Sindikatës së Pavarur të këtij televizioni që urgjentisht të shkarkohet Bordi si dhe të formohet një Komision Hetues Parlamentar, njofton Insajderi.

Në një postim në Facebook, Kastrati ka shkruar se RTK-ja mbikëqyret nga dy Komisione Parlamentare, ai për financa dhe Komisioni për Media.

Sipas tij, menaxhimi dhe përgjegjësitë e RTK-së janë të udhëzuara dhe përcaktuara me Ligjin për RTK-në dhe rregulloret e nxjerra mbi bazën e Ligjit.

“Për çdo parregullsi ligjore dhe profesionale mbahemi përgjegjës nga komisionet përkatëse të themeluesit, të cilit i obligohemi t’i japim llogari. Tentimet për ta komprometuar RTK-në nëpërmjet fabrikimeve, inskenimeve të situatave dhe shtrembërimeve të të vërtetave do të mbesin veprime të kota të oportunistëve dhe profiterëve, të cilët shfrytëzojnë çdo situatë delikate politike për të krijuar rrethana favorizuese për interesa tërësisht personale”, ka shkruar Kastrati.

Ai tutje është shprehur se “puna profesionale e RTK-së është publike dhe i nënshtrohet vlerësimit të vazhdueshëm të publikut, të vetmit vlerësues real”./Insajderi.com