Drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka dhënë detaje lidhur me detyrën që kishte zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, i cili më 9 tetor ka kryer katër transaksione që dyshohet se u çuan mbi dy milionë euro të shtetit në një kompani private me bazë në Llapushnik të Drenasit, njofton Insajderi.
“Labinot Gruda, ka qenë menaxher i tavolinës ndihmëse, ka pasur detyrë krijimin e përdorueseve të punëtorëve në sistem”, ka thënë Ismaili për REL.
Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës tha se e ka menduar dorëheqjen nga ky post, pas transferit të mbi dy milionë eurove nga ky institucion në kompaninë “LDA Group”, prej së cilës kanë rrjedhur në dhjetëra llogari të tjera.
“E kam menduar dhe jam jashtëzakonisht i thyer pas rastit”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se pas zbardhjes së rastit, do ta shqyrtojë qëndrimin e tij në pozitën e udhëheqësit të Thesarit.
Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda u arrestua, nën dyshimin, se përmes katër transaksioneve e ka bërë transferimin e këtyre mjeteve.
Ndërkaq, në një letër dërguar mediave, Ismaili e ka cilësuar këtë transfer si “veprim krejtësisht individual”. Sipas tij, në këtë rast janë “tejkaluar autorizimet ligjore, janë ndërmarrë veprime të palejuara dhe janë krijuar përdorues fals në sistem, duke thyer/resetuar fjalëkalime të zyrtarëve përgjegjës të ministrisë nga e cila janë marrë mjetet”.
“Pra, ka përdorur qasjet nga sistemi për të bërë krim, i cili ka pasur për qëllim mashtrimin përmes manipulimit dhe thyerjes nga brenda të sistemeve, që bie në domenin e krimit kibernetik po ashtu”, ka thënë Ismaili.
Zyrtari i Thesarit dyshohet se ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”, pronarët e së cilës ndodhen në arrati. /Insajderi.com