Drejtori i Stacionit të Autobusëve të Prishtinës, Ylber Çitaku, ka folur përsëri në media duke mohuar se ka nisur një valë e re e kosovarëve që emigrojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës duke përdorur autobusët që nisen drejt Serbisë e më pas edhe nëpër vende të tjera.
Çitaku i tha televizionit publik se për dallim para një jave ku për tri oraret e autobusëve 22:00, 22:30 dhe 23:00 që nisen drejt Serbisë janë shtiru 30 bileta, këtë javë janë shitur 15 më shumë.
Sipas tij, më shumë ka njerëz të cilët po dalin në Stacion për të shikuar se çka po ndodhë pas raportimeve në media të ndryshme.
Por disa rrëfime të disa qytetarëve që kanë folur mbrëmë për Interaktiv nuk tregojnë të njejtin fakt. Dhjetëra prej tyre kanë treguar se po ikin nga vendi për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në familjet e tyre.
Shumë prej rrëfimeve të tyre shpërfaqin jetesën e varfër të familjeve kosovare të cilat përkundër faktit se nuk kanë asnjë të ardhur ose janë vetëm me një person të punësuar me një pagë prej 200 eurove, janë të detyruar të paguajnë energjinë elektrike e të tjera tatime që kapërcejnë shumën prej 60 eurove në muaj. /Insajderi.com