Drenasi nderon ish-kryeministrin e Shqipërisë

Drenasi nderon ish-kryeministrin e Shqipërisë

Të enjten është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Drenasit, ku janë miratuar të gjitha pikat që ishin për rend dite, të propozuara nga ekzekutivi, konkretisht nga kryetari Lladrovci dhe ne mesin e tyre edhe dy pikat për nderim te personaliteteve.

Është miratuar propozim vendimi për shpalljen e qytetar nderi i Komunës së Drenasit, ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko dhe Kontesha e Suedisë, Walburga Habsburg Douglas, thuhet në një komunikatë për media

Me këtë rast, kryetari Lladrovci ka falënderuar asamblistët që kanë përkrahur propozimin e tij për t’i nderuar këto dy personalitete të rëndësishme dhe me poshtë gjeni postimin e kryetarit në rrjetin social;

E falënderoj Asamblenë komunale të Drenasit për përkrahjen e propozimit tim që Pandeli Majko të shpallet “Qytetar nderi”, i komunës së Drenasit si dhe vendimi për të shpallur “Qytetare nderi”, Konteshën Walburga Habsburg Douglas.

Sot, Asambleja komunale e Drenasit, ka nderuar jo vetëm këto dy personalitete por edhe Drenicën dhe krejt Kosovën. Faleminderit!

Pandeli Majko, shpallet “Qytetar nderi” i Komunës së Drenasit, nga Asambleja komunale e Drenasit, me motivacion:

Për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës, mbështetjen e vazhdueshme për shtetësinë e Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në agjendat integruese euro-atlantike.

Personalitetin e fuqishëm patriotik e motivues, e rikonfirmoi gjatë ushtrimit të postit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, kohës më të ndjeshme të kombit shqiptar, kur qytetarët e Kosovës përballeshin me shfarosjen.

Majko, ka përkrahur në kontinuitet të drejtën e Kosovës për shtet të pavarur e sovran, shtet të lirë dhe demokratik, me vlera integruese euro-atlantike, të përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe e bashkëpunim në rajon dhe më gjerë.

Po ashtu, si një personalitet i fuqishëm dhe patriot, i mbrujtur me ndjenjat më të fuqishme nacionale nga familja e tij, në veçanti ka çmuar Drenicën dhe historinë elavdishme të saj.

Sot, të gjithë jemi të nderuar që Pandeli Majko, është shpallë “Qytetar nderi” i Drenasit, për kontributin e shquar në çlirimin e vendit tonë, promovimin e vlerave të Drenasit dhe Drenicës, në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë, duke promovuar vlerat, të vërtetën e historisë tonë dhe synimet tona integruese.