Drenori: Nëse një ditë do bëhesha vrasës, do ta vrisja Imer Bekën

Drenori: Nëse një ditë do bëhesha vrasës, do ta vrisja Imer Bekën

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas, Xhavit Drenori ka thënë se do ta vriste kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Bekën, nëse një ditë do vendoste të bëhej vrasës.

“Nuk jam vrasës, por nëse një ditë do bëhësha, do e vrisja vetëm një njeri, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka”, deklaroi sot Drenori, përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook.

Drenori është shprehur i mllefosur me punën e Imer Bekës, duke thënë se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka inkurajuar edhe korrupsionin në Drenas.

“Ky zotëri që paguhet nga taksat tona për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, me mos veprim, sado fakteve që ka në tavolinë, ka inkurajuar korrupsionin në Drenas. Gjatë mandatit tim prej asamblisti kam hasur shumë raste korruptive në komunën e Drenasit”, ka thënë Drenori.

Drenori ka thënë se Prokuroria nuk ka guxuar të ngrisë aktakuza për disa raste të dyshimta në Komunën e Drenasit.

“Gjashtë kallëzimet penale dhe pesë denoncimet në Policinë e Kosovës, të argumentuara dhe konsultuara me avokatë, kurrë nuk i nxorrën para përgjegjësisë zyrtarët që abuzuan skajshmërisht me pozitat zyrtare në dem të qytetarëve sepse nuk ka prokurorë që ‘guxon’ të ju ngrisë aktakuza”, ka thënë ai.

Ai ka treguar cilat raste i ka denoncuar në Prokurori.

“Rastet korruptive prekin fushën e urbanizmit, arsimit dhe pronës në Drenas. Dy rrugë i kemi përpara si shoqëri:
1. T’i çkapim institucionet apolitike (gjyqësorin) nga persona të caktuar politik me rrugë institucionale duke thirrur para përgjegjësisë zyrtarët përkatës ose,
2. Rrebelim popullor dhe përmbysje me dhunë e sistemit klientel e korruptiv para se të bëhët vonë”, ka rrëfyer Drenori. /Insajderi.com