Kandidati i Iniciativës Qytetare “Green për Drenas”, Xhevat Drenori, thotë se është sulmuar fizikisht nga djali i prokurorit – Ibrahim Berisha, transmeton Insajderi.com.
Siç pretendon Drenori, ky sulm ka ndodhur të martën para zyrës së tij të punës.
“Jam sulmuar fizikisht nga djali i prokurorit Ibrahim Berisha. Aktualisht jam në Polici”, ka thënë ai shkurt për ‘Kohën’, duke treguar po ashtu se në vendngjarje ka pasur së paku tri kamera të sigurisë.
Në debate televizive Drenori disa herë ka përmendur emrin e prokurorit të Themelores në Prishtinë, si pengesë për t’u hetuar pretendimet ndaj kryetarit aktual Ramiz Lladrovci për keqpërdorime në Drenas.
Madje ai akuzonte Lladrovcin se ia ka punësuar të renë prokurorit Berisha.
Ndërkaq, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Drenori doli i katërti në Drenas me vetëm 4.04 për qind të votave, derisa i pari në listën e rezultateve doli kryetari aktual – Ramiz Lladrovci me 45.62 për qind të votave, që në balotazh do të rivalizohet nga Driton Ajazi i Demokratëve për Drenasin me gjithsej 30.74 për qind të votave. /Insajderi.com