Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gani Dreshaj, i ka kërkuar Policisë së Kosovës që të zhvillojë një aksion në Kadastrën e Istogut, pasi tha se “aty keqpërdorimi ka rrënjët e thella që nga paslufta”, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, Dreshaj është shprehur se operacioni policor i zhvilluar të mërkurën në Ministrinë e Bujqësisë dhe zyrat e saj nëpër qytete të ndryshme, godet direkt krimin dhe korrupsionin në nivelin e lartë.
Sipas tij, “të gjithë vjelësit dhe keqpërdoruesit që bëhen të pasur pa djersë duhet të gjykohen e dënohen sepse janë kancer i shoqërisë”.
“E përshëndes aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës. Aksionet e tilla godasin direkt krimin e korrupsionin në nivele të larta shtetërore, që fatkeqësisht ekziston që shumë vite”, ka shkruar Dreshaj në Facebook.
Kujtojmë se, mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës ka nisur një operacion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ky aksion është zhvilluar edhe në disa komuna tjera të Kosovës si Istog, Lipjan, Podujevë e Gjilan. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 12 persona, 10 prej tyre zyrtarë shtetërorë.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka njoftuar se të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale si: marrje dhe dhënie ryshfeti, keqpërdorim të subvencioneve etj.
Ai po ashtu ka thënë se gjatë këtij operacioni janë konfiskuar një sasi e parave (rreth 400 mijë euro), vetura, laptopë e kompjuterë./Insajderi.com