Shqiptarët nga Kosova që jetojnë jashtë vendit duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare në atdheun e tyre, por shumë veta e shohin si problematike për ta realizuar të drejtën e votës, meqë procedura është e komplikuar.
Votuesit e diasporës duhet fillimisht të regjistrohen për të treguar se duan të votojnë e më pas të votojnë brenda një periudhe të caktuar.
“E dimë se shumë veta do të donin të votonin, por pengesat dhe procedurat e komplikuara të regjistrimit i dekurajojnë”, thotë Eleonit Smajli, 23 vjeç, student në Zvicër.
Në mënyrë që ta bëjnë më të lehtë për të votuar nga Zvicra dhe vende të tjera ku ka diasporë shqiptare, ai dhe disa studentë të tjerë me prejardhje shqiptare, janë bashkuar dhe kanë formuar një organizatë jo-fitimprurëse dhe që nuk anon politikisht duke e quajtur “Du me votu!”.
Për nismën e tyre ka shkruar një artikull mediumi zviceran 20minuten.
Sipas Smajlit, diku 800 mijë kosovarë me të drejtë vote jetojnë jashtë Kosovës.
“Ne kosovarët që jetojmë jashtë do të mund të vendosim rezultatin zgjedhor atje, sikur të na linin të votojmë”.
Artikulli flet edhe për rregullin e fundit që ata që jetojnë jashtë Kosovës dhe regjistrohen për të votuar, prapë nuk do të mund ta bëjnë po nuk u përgjigjen në telefonatën konfirmuese që iu bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
20minuten shkruan se një burim nga Kosova u ka thënë se komplikimi bëhet meqë shumica e diasporës voton për Vetëvendosjen.
“Duket një akt i gardës së vjetër politike të Kosovës”, thotë Cédric Wermuth, zëvendës-presidenti i SP-së në Zvicër.
Ai shton se ky veprim i KQZ-së është bërë për të penguar ndryshimin e qeverisë në Kosovë.
“Por, jam i bindur se nuk do të kenë sukses. Është si ta këputësh një copë mishi nga vetja”.
Iniciativa “Du me votu!”, tashmë ka mbledhur 25 mijë anëtarë thotë Smajli.
“Të martën faqja jonë u bllokua nga numri i madh i vizitorëve”./Insajderi.com