Pas ankesës në PZAP, Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat i Boshnjakëve ka dorëzuar ankesë edhe në Gjykatën Supreme për anulimin e votave edhe në disa komuna përveç atyre që veçse janë anuluar, njofton Insajderi.
Në Express Intervistë, Bale tha se vendimi i PZAP-së ka qenë i kënaqshëm për boshnjakët, ku në shtatë komuna janë anuluar votat tërësisht dhe pjesërisht në tri komuna. Bale tha se i janë drejtuar Supremes sepse duan që në komunat ku është vendosur që pjesërisht të anulohen fletëvotimet, të anulohen krejtësisht edhe ato.
Ajo thotë se anulimi i pjesërishëm ka ardhur pasi PZAP-ja nuk e ka pasur numrin real të votuesve të regjistruar nëpër komuna sepse serbët dhe boshnjakët nuk kanë dalë për regjistrim, si rrjedhojë nuk ka ditur as numrin e tyre si banues në një komunë.
“Ne kemi bë ankesë të nivelit të lartë, të përgatitur juridikisht dhe nuk mendoj se kemi pasur problem me të. Në regjistrimin e fundit, boshnjakët dhe serbët nuk kanë dalë për regjistrim në zgjedhjet e fundit dhe PZAP nuk ka mundur të dijë sa boshnjakë jetojnë në ato komuna. Por, ndër vite numri i tyre është shumë i vogël, deri në 300 mund të jenë”, tha ajo.
Bale thotë se Lista Serbe e ka pasur qëllim qysh moti të ketë 15 deputetë në Kuvend nën udhëheqjen e saj përmes votave të romëve.
“VAKAT para zgjedhjeve ka bërë marrëveshje me Listën Serbe ashtu si Hoxhiq. Lista Serbe tash ka shpërndarë vota përmes Hoxhiqit dhe VAKAT-it. Ata kanë shpërndarë vota. Ata kanë planifikuar t’i kenë 15 deputetë në kuvend, ka qenë plan”, tha ajo.
Me krijimin e iniciativës së re, “Inciativa Rome”, Bale thotë se e kishin kuptuar se ishte plan i Listës Serbe që përmes saj ta fuqizonin rolin brenda Kuvendit.
“Edhe në zgjedhjet e fundit kemi ditë që kanë vota shtesë për të cilat Lista Serbe nuk ka pasë nevojë. Ata kanë monopol politik. Kur kemi pa që disa ditë para zgjedhjeve kanë krijuar iniciativa, e kemi kuptuar planin e Listës Serbe. Edhe koalicioni VAKAT ka ardhë si rezultat i këtij plani të Listës Serbe”.
“Atë që ata kanë planifikuar ta bëjnë është shumë e rrezikshme për Kosovën, jo vetëm për komunitetet”.
Sipas Bales, plani i koalicionit VAKAT dhe Listës Serbe ka qenë kundër saj dhe deputetes së zgjedhur të NDS-së, Emilija Rexhepi.
“Kryetari i VAKAT-it ka shumë problem me ligjin. Mendoj se kanë planifikuar një plan me Listën Serbe të na eliminojnë mua dhe Emilija Rexhepin. Hoxhiq nuk ka dalë shumë fer me VAKAT sepse ata kanë planifikuar të ketë dy vende dhe Hoxhiqi të ketë vetëm një vend dhe të eliminojë dy partitë boshnjake tjera. Unë kam fituar mandatin me vota të pastra të boshnjakëve. Ne nuk do humbim prej votave të boshnjakëve por të serbëve. Lista Serbe nuk ka të drejtë të ndërhyjë mes komuniteteve të tjera”.
Bale thotë se prioriteti i boshnjakëve në Kosovë është formimi i komunave boshnjake./Insajderi.com