Duda Balje: Me Kurtin po bëhet e gjallë ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

Duda Balje: Me Kurtin po bëhet e gjallë ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

Deputetja e zgjedhur nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, thotë se me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në qeveri, idea për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë po bëhet gjithmonë më e gjallë, transmeton Insajderi.

“Është frikë reale. Ajo ide ekziston tash e disa vjet. Është e definuar si radikale, por tash me Kurtin po bëhet gjithnjë më e gjallë”, ka thënë Bale në intervistë për “Al Jazeeran”.

Ajo ka thënë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë do të ndodhë herët apo vonë.

“Njohja e ndërsjellë do të ndodhë herët apo vonë. Opsion të dytë, realisht, nuk ka. Me ose pa presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kosova është një shtet i pavarur dhe është një proces që askush nuk mund ta kthejë”, ka thënë Bale.

Bale ka folur edhe për mundësinë e shkëmbimit territorial mes Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për këtë.

“Nuk mendoj se ai ndryshon mendjen në këtë. Shkëmbimi i territoreve vështirë se mund të jetë opsion”, ka thënë Bale.

“Kurti ka një pozicion të veçantë për këtë çështje. Ai beson se nuk është një prioritet për Kosovën që të vazhdojë menjëherë negociatat. Ne do të shohim zhvillimin e situatës, planeve dhe presioneve të Evropës dhe Amerikës në periudhën e ardhshme”, ka thënë Bale tutje. /Insajderi.com