Dugolli thotë se në Burgun e Beogradit kishte keqtrajtime seksuale

Dugolli thotë se në Burgun e Beogradit kishte keqtrajtime seksuale

Ish-i burgosuri politik, njëherësh edhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli, ka thënë se në burgjet e Serbisë, ka pasur keqtrajtime seksuale ndaj shqiptarëve nga Kosova, transmeton Insajderi.

Këtë deklaratë Dugolli e dha në një intervistë televizive derisa komentohej trajtimi në burgjet e Serbisë ndaj kryeministrit aktual, Albin Kurti.

“Në Burgun e Beogradit kam dëgjuar që ka pasur keqtrajtime të tilla [keqtrajtime seksuale]. Kam dëgjuar për të paktën dy raste, por që nuk dua t’i bëjë publikë me emër, për shkak se nuk kanë folur as ata, e nuk do të flas as unë”, ka thënë Dugolli në ‘Info Magazinë’ të KK.

“Por, është e vërtetë që pas kthimit tonë në Burgun e Dubravës, që na kanë transferuar nëpër burgjet e Serbisë, ka pasur raste që njerëzit e plagosur që kanë qenë mbi afër 400 të plagosur në Burgun e Dubravës, dhe i kanë dërguar në ambulanta të ndryshme gjoja për t’i trajtuar, por i kanë keqtrajtuar seksualisht”, u shpreh më tej ai.

Dugolli thotë se këta persona, të cilët ishin viktimë e dhunës seksuale në burgjet e Serbisë, jetojnë ende, ndërsa edhe 22 vjet më vonë nuk ka as të akuzuar e as të dënuar që merret me këtë akt gjenocidal.

“Ata persona jetojnë ende. Janë të thjeshtë, njerëz që i vuajnë ato në shpirtin e tyre. Jetojnë me ato vuajtje, ku besoj që plaga më e madhe është kjo padrejtësia e madhe që po na bëhet”.

“Paramendoni, ka ndodhur akti gjenodical në Burgun e Dubravës, tani jemi në vigjiljen e 22 vjetorit, dhe tani nuk ka as të akuzuar, e as të dënuar që merret me këtë ngjarje. Është akt gjenodical”, u shpreh ai. /Insajderi.com