“Duheni me dashtë vendin”, “Do ta çlirojë Kosovën nga korrupsioni”, citate nga mbrëmja argëtuese Veselit dhe Limajt

“Duheni me dashtë vendin”, “Do ta çlirojë Kosovën nga korrupsioni”, citate nga mbrëmja argëtuese Veselit dhe Limajt

Një mbrëmje argëtuese ka qenë e hëna për Kadri Veselin, kryetarin e PDK-së dhe Fatmir Limajn kryetarin e Nisës – të dy pjesë e Qeverisë Haradinaj.

Limaj u ka bërë thirrje të rinjve në Kaçanik për ta dashur vendin, Veseli ka tentuar ta tregojë forcën. Kryetari i Kuvendit thotë se do ta çlirojë Kosovë nga korrupsioni

Veseli pasi ka dalur si kryetari i PDK-së nga konventa e nëntë e kësaj partie ka pasur fjalë të mëdha. Thotë se ashtu siç kishte përfunduar luftën për pavarësi do të luftojë edhe për çlirimin e Kosovës nga korrupsioni.

“Si anëtar i UÇK-së kam besuar se do ta arrijmë lirinë, sot 20 vjet pas fitores së asaj lufte nuk do të lejoj qe të vihen në dilema ato vera nga askush dhe për asgjë. Shpirti i sakrificës dhe solidariteti në UCK dje duhet të jetë shembull i luftës për karakterin e shtetit sot”.

“E kemi përfunduar luftën për pavarësi, por jo për shtetin e së drejtës. Sot jam këtu që të zotohem se ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës, ashtu do të luftojmë që Kosovën ta çlirojmë nga korrupsioni dhe abuzimet”, ka deklaruar Veseli.

Në një ambient tjetër nga Kaçaniku, ku Nismës i janë bashkuar më shumë se 60 persona, Fatmir Limaj ka bërë thirrje që të dashurohet vendi.

Ai të rinjtë e Nismës u ka thënë se për të qenë drejtues në nivelin qendror apo lokal duhen vetëm dy gjëra. Sipas Limajt duhet të ketë përgatitje profesionale dhe dashuria ndaj vendit.

“Përgatitja profesionale dhe e dyta më deshtë vendin. Jam i bindur se këto kritere i ka secili nismëtar anekënd Kosovës”, ka deklaruar ai.

Të rinjve Limaj ua ka paraqitur Nismën si parti që i dëgjon të gjitha hallet e qytetarëve.

“Ju që keni vendos t’i bashkoheni këtij vizioni politik të jemi të qëndrueshëm në angazhimin tonë politikë. Ju që sot keni vendos me iu bashku Nismës, ju do të jeni zëdhënës të njerëzve të pastrehë, për t’i ndihmuar njerëzit në asistence sociale, për t’i ndihmuar pleqtë, pensionistët. Ju që sot po i bashkoheni Nismës në Kaçanik do të jeni zëdhënës të ligjit për lehonat.  Ju sot po aktivizoheni për të qenë një zë më i fuqishëm në përmirësimin e gjendjes në Kaçanik dhe Kosovë. Ne jemi krenar që keni vendosur që jetën tuaj politike ta bëni tek Nisma”, ka deklaruar Limaj.