Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe ministre në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shprehur dyshimet e saj nëse LDK do të dalë më e fortë pas Kuvendit Zgjedhor që po mbahet aktualisht, njofton Insajderi.
Pas hedhjes së votës së saj, Dumoshi u pyet nëse beson që partia që përfaqëson do të dalë më e fortë pas këtij procesi, për çka shkurtazi tha se “nuk e di”.
Ndryshe prej Dumoshit, kandidatët për kryetar të kësaj partie, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa thonë se besojnë që një gjë e tillë do të ndodhë pas ditës së sotme.
Madje ky i fundit tha se në LDK ka njerëz dhe struktura që mund ta kthejnë partinë aty ku e ka vendin.
“Kërkohet një energji e re dhe një rikthim në vizionin e LDK-së në themelimin e saj të vitit 1989, pra në rikthimin e vlerave, shtyllave dhe themeleve të LDK-së. Kjo është çka kërkuar qytetari i Kosovës këto 31 vjet dhe kjo është ajo që duhet t’i ofrojmë për 30 vjetët e ardhshme”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, Lumir Abdixhiku ka thënë se rikthimi i LDK-së është çështje kohe dhe i pashmangshëm.
“Jam i bindur që kuvendi zgjedhor do të shkojë mirë. Me rëndësi është që lidershipi të zgjedhjet në mënyrë demokratike. Rikthimi i LDK-së është çështje kohe dhe i pashmangshëm”, është shprehur ai.
Edhe Lutfi Haziri, i cili ka hyrë në garë me Mustafën e Abdixhikun, tha se cilido që zgjedhet kryetar, do të marrë një detyrë të rëndë, që përmes punës të përbashkët ta rikthejë fuqishëm LDK-në në skenën politike.
“Besoj se cilido që zgjidhet, ka me marrë një detyrë të rëndë, por përmes punës së përbashkët do të arrihet rikthimi i fuqishëm i LDK-së”, ka thënë Haziri. /Insajderi.com