Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Hysen Durmishi, i ka reaguar liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit akuzoi Qeverinë Kurti II për vjedhje të buxhetit.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se Haradinaj ka thënë të pavërteta në Kuvend gjatë seancës së sotme.
“E kemi anuluar tenderin 44 milionë eurosh i cili potencialisht do të rritej ne 57 milionë. E kaluara na ka treguar se kontratat kornizë janë rritur për 30 %. Ne kemi shpallur tender të ri me vlerë të parashikuar 11 milionë e 600 mijë euro për një vit. Pra maksimumi që mund të arrijë kjo kontratë për tri vite është 35 milion euro. Pra i kemi shpëtuar nga buxheti 22 milionë euro vetëm nga kjo kontratë e në anën tjetër do të rritet cilësia”, ka shkruar Durmishi.
Ramush Haradinaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu për vjedhje të buxhetit të Kosovës.
Haradinaj në seancën e Kuvendit ka thënë se Aliu ka anuluar një tender që ka qenë për tre vjet në vlerë 40 milionë euro dhe ka shpallur tenderin tjetër një vjeçar në vlerë 20 milionë euro duke i shkaktuar humbje Kosovës./Insajderi.com