Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, të enjten mori vendim për zbritjen e çmimit të paraqitjes së provimit për patentë shofer prej 20 Euro në 10 Euro.
Lajmi është bërë i ditur nga MMPHI-ja, përmes një postimi në Facebook.
“Në përputhje me nenin 74 të Ligjit nr.05/L-064 për Patentë-Shofer, dhe shtojcës 1 pika 10 të Rregullores (QRK) nr.02/2021 për fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, u nxjerr vendimi i ri, i cili përcakton çmimet e paraqitjes së provimit të kandidatëve për patentë shofer nga pjesa teorike dhe praktike për secilën kategori”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ky vendim vjen pas atij për pezullimin e marrëveshjes për “tiketat ngjitëse”, sipas së cilës nga 1 shtatori qytetarët do të duhej të paguanin nga pesë euro shtesë kur bëjnë regjistrimin e veturës.
Lidhur me këtë, partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Durmishit, pasi i njëjti kur njoftoi për vendimin e marrë tha se “pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik kam gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën”.
Ai bëri të ditur se vendimi përfundimtar do të merret pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë./Insajderi.com