Lëvizja politike serbe e krahut të djathtë nacionalist, “Dveri” i ka shkruar një letër publike kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, duke i kërkuar për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Me qëllim të forcimit të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, dhe me qëllim që ato të jenë në nivelin më të lartë të respektit dhe miqësisë, ne ju kërkojmë që të tërhiqni njohjen për Kosovën”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga “Dveri” e Boshko Obradoviq, shkruan Nova.rs, transmeton Insajderi.
Tutje në letër thuhet se “me një akt të tillë, ju do të bashkoheni me pesë anëtarët e tjerë të BE-së të cilët nuk e njohën këtë shtet të rremë dhe kështu të tregoni se ju e njihni integritetin dhe sovranitetin e vendit tone”.
Sipas kësaj lëvizje politike, në Serbi më e rëndësishme është tërheqja e njohjes hungareze ndaj Kosovës sesa lobimi i tyre për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian./Insajderi.com