Dy deputetët e VV-së shkelin vendimin e Gjykatës, mund të kthehen në paraburgim

Dy deputetët e VV-së shkelin vendimin e Gjykatës, mund të kthehen në paraburgim

Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi e kanë shkelur masën e arrestit shtëpiak të dielën. Deputeti dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes e shkelën vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, pasi vendosën të dalin në festën e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Kurti, shkeljen e kësaj mase, e ka marrë në mënyrë të relaksuar. Është tallur me situatën e tij nën këtë masë. Ai tha se në vendim i shkruan se ai është nën masën e arrestit shtëpiak, por tha se nuk ka shtëpi, por banesë.

“Në atë vendim shkruante arrest shtëpiak, por unë banoj me qera në banesë, nuk kam shtëpi edhe banojmë në një ndërtesë në Prishtinë shumë afër sheshit, aq afër saqë po të ishte ajo banesë shtëpi, sheshi do të ishte oborri im. Kështu që sonte dola në oborr”, tha Kurti.

Pas kësaj shkelje të arrestit shtëpiak, Gjykata mund të marrë vendim që t’i rikthejë në paraburgim dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti dhe Kadaj-Bujupi u arrestuan të premtën pas një urdhërarresti, për mos paraqitje në seancat e thirrura nga gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Beqir Kalludra. /Insajderi.com