Pas rreth dy javësh që kur Gazeta Online Insajderi ka filluar publikimin e përgjimeve të Dosjes së Shefave – një seri bisedash telefonike ku dëshmohet se si zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës shtrijnë ndikimin në institucionet e pavarura të vendit – protagonisti kryesor i përgjimeve, Adem Grabovci, njoftoi për dorëheqjen e tij nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.
Ai në një letër publike tha se dorëheqja e tij vije si pasojë e publikimit të këtyre përgjimeve, pasi që sipas tij, “këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time.”
Dorëheqja e tij u komunikua në kohën kur qindra qytetarë po merrnin pjesë në protestën e katërt të organizuar kundër krimit e korrupsionit. Protesta është thirru vetëm pak ditë pas fillimit të publikimit të përgjimeve nga redaksia e Insajderit.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]
Po ashtu, si pasojë e raportimeve të Insajderit, Edona Ahmeti, e dashura e djalit të Gani Thaçit, ushtrues detyre i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, e cila ishte emëruar më 11 gusht të këtij viti Drejtoreshë e Kartonit të Gjelbër nga Këshilli Administrativ i Byros Kosovare të Sigurimeve, ka dhënë sot dorëheqje nga kjo pozitë.
Dorëheqja e saj erdhi vetëm katër ditë pas raportimit të Gazetës Insajderi.
Insajderi kishte zbuluar se para dy muajsh, në qershor Gani Thaçi është emëruar në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të BKS-së. Ndërkaq më 11 gusht, Edona Ahmeti, e dashura e Kushtrimit Thaçit, djalit të Gani Thaçit, është emëruar në postin e drejtoreshës për Karton të Gjelbër./Insajderi.com