Dy gratë e guximshme kosovare që rrëfyen publikisht se ishin përdhunuar gjatë luftës

Marte Tunaj e Vasfije Krasniqi-Goodman, janë dy heroinat që rrëfyen publikisht se u përdhunuan nga serbët.

Dy gratë e guximshme kosovare që rrëfyen publikisht se ishin përdhunuar gjatë luftës

Dy gra të dhunuara në luftën e Kosovës nga ushtria serbe, morën guximin që të jenë zëri i 20 mijë viktimave. Treguan publikisht e dëshmuan në gjykatë për krimin që ju ndodhi.

Marte Tunaj, gruaja nga Gjakova ishte e parë që doli të flas publikisht për dhunën seksuale që kishte përjetuar nga paramilitari serb Millosh Jokiq në Viti në maj të vitit 1999. Dhunuesi i saj u dënua fillimisht me 20 vjet burgim, për disa vepra penale në mesin e të cilavë edhe për dhunimin e Marte Tunajt.  Rasti ishte kthyer në rishqyrtim,  kurse me 3 maj 2002, Jokiq u shpallë i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Të marten, publikisht dëgjuam edhe rrëfimin e Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila ishte vetëm 16 vjeçare kur u dhunua nga dy ushtarë serbë në një fshat të Vushtrrisë, në prill të vitit 1999.

Dëshminë e saj e kishin dëgjuar më herët edhe ushtarë të UÇK-së, policë, prokuror e gjykatës. Procesi gjyqësor ndaj Jovica Dejanoviq dhe Gjrgje Bojkoviq të akuzuar për dhunimin e saj, nisi. Gjykata Themelore i shpalli ata të pafajshëm, por Gjykata e Apelit i shpalli fajtor duke i dënuar me 10 respektivisht 12 vjet burgim. Por krejt në fund Gjykata Supreme i shpalli ata të pafajshëm.

Njëri prej tyre Jovica Dejanoviq madje për 16 vjet ishte pjestarë i Policisë së Kosovës.

Rrëfimi i Marte Tunaj

“Më çoi në kuzhinë dhe më urdhëroi të zhvishem, nën kërcënimin e armëve më dhunoi“

Marte Tunaj me prejardhje nga Gjakova ishte e martuar në Verban të Vitisë për Vehbi Selmanin një luftëtar trim.

Tunaj, vdiq para dy vitësh por pas vetes la rrëfimin e parë publik se si ishte përdhunuar gjatë luftës.

Më 30 maj të vitit 1999 ajo ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Millosh Jokiq ndaj të cilit më 25 shkurt të vitit 2000 ishte ngritur aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile në Viti.

Deklarata e Marte Tunajt se ishte dhunuar nga Jokiq, bëri që pjestarët e KFOR-it e arrestuan urgjentisht atë.

Millosh Jokiq sipas Marte Tunajt nën kërcënimin e thikës e kishte dhunuar atë.

“Ai së pari i mori të gjitha të hollat nga banorët dhe mua më çoi në kuzhinë ku më urdhëroi të zhvishem. Refuzova me tërë forcën time, por ai nxori thikën dhe nën kërcënimin e thikës, kreu marrëdhënie seksuale”, kishte rrëfyer Tunaj.

Por nuk përfundon këtu historia e Marte Tunajt. Ajo e kishte shumë të vështirë që pas luftës t’i rrëfente familjes dhe burrit për tërë atë që i kishte ndodhur me Jokiqin.

“E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokiqin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokiqi. Burri im e mori vesh tek pasi u bë gjyqi dhe i jam shumë mirënjohës që më përkrahu deri në fund”, pati rrëfyer ajo për mediat.

Tunaj thoshte se guximin për të dëshmuar si grua shqiptare ia fali Kosovës, djalit të saj Sherifit i cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe i vetmi i mitur në tërë rajonin e Vitisë.

Ajo së bashku me burrin e saj Vehbi Selmanin dhe djemtë ishte pjesëmarrëse e luftës së fundit.

Martja ndihej e shqetësuar për fatin e femrave të dhunuara sidomos kur në parlamentin e Kosovës kishte dëgjuar deputetët që kërkonin ekzaminimin e viktimave të dhunës seksuale.

“Tani kam 65 vite dhe marr nga shteti një ndihmë prej 96 eurove. Përcjell me vëmendje tërë debatin rreth femrave të dhunuara gjatë luftës dhe nuk më vije mirë që dikush flet me paragjykim për këtë kategori. Jam e befasuar dhe shumë e shqetësuar me ato diskutime në Parlament e Qeveri rreth asaj se a duhet apo nuk duhet të paguhen këto femra të dhunuara. Vërtet është turp për këtë Qeveri e këto institucione që ende pas kaq vitesh diskutohet se a duhet apo jo të kenë ndihma financiare femrat e dhunuara”, shprehej Martja.

Ajo pati rrëfyer se gjatë luftës së fundit e kishte fituar diabetin dhe vetëm për një muaj shpenzonte mbi 80 euro vetëm për barna.

“Nuk jam pishman që u kam dhënë bukë pjesëtarëve të UÇK-së dhe u kam qepur edhe rrobat. E kam bërë me vullnet e dëshirë, por nuk mund të pajtohem me faktin se Qeveria e përkohshme më përzuri nga vendi i punës dhe askush kurrë nuk është përkujdesur për mua”, thoshte ajo e revoltuar.

Martja thoshte se e ka guximin të flas në emër të të gjitha grave të dhunuara që shteti të mendoj dhe të bëjë të pamundurën që tua mundësojë një pagesë dinjitoze.

“Është gjynah që femrat e dhunuara të mbesin nën mëshirën e lëmoshës. Ato kanë nevojë për përkujdesje e tretmane të ndryshme mjekësore”, thoshte ajo.

Marte Tunaj ishte e para grua në Kosovë që ka dëshmuar publikisht për dhunimin e kryer nga ana e Millosh Jokiqit. Tunaj ka dëshmuar në prezencë të burrit dhe publikut në sallë dhe si rezultat i rrëfimit të saj rrëqethës Jokiq ishte dënuar me 20 vite burgim.

Rrëfimi i Vasfije Krasniqi-Goodma:

“Në atë moment unë lypsha veç me më vra“

Vasfije Krasniqi-Goodma, 36-vjeçarja e cila jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara, me lot në sy ka rrëfyer për torturat që kishte përjetuar gjatë luftës si 16-vjeçare. Ajo ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Rasti, siç tregon ajo, kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë.

“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘qelne derën’… edhe është dashtë me qelë”, nis rrëfimin, 36-vjeçarja nga Stanovci i Vushtrrisë. “Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyti se ku e keni babën edhe vëllanë. Nana i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shkuar në luftë’.”

“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici”, tregon Krasniqi-Goodman.

Në intervistën e saj për Televizionin Publik të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman thotë se nuk dëshironte të shkonte me policin serb. “Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në një makinë 101-sh të kaltër.”

Asokohe 16-vjeçare, Krasniqi e kishte kuptuar që diçka e keqe do t’i ndodhte asaj në momentin kur vetura të cilën po e ngiste zyrtari policor serb nuk po shkonte në drejtim të stacionit të Policisë në Vushtrri, por diku tjetër.

“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija, por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Ka ardhur në fshatin Babimovc tek një kishë aty; fshati ka pasur shumë serb”, vijon rrëfimin kosovarja 36-vjeçare.

“Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb edhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”, thotë Krasniqi-Goodman me lot në sy.

Vasfija thotë se polici serb i kishte thënë se nuk do ta vriste për një arsye të vetme: që të vuante më shumë.

“E ka ndal kerrin dhe më ka detyruar me dalë prej kerrit dhe aty kishte patur kallamoq. Më ka gjuajtur aty dhe çfarë ka ndodhur pastaj nuk mundesh me marrë me mend. E ka pasur dorën e majtë të lidhun edhe thojke: ‘Nuk të vras sepse kështu hjekë më shumë”, shprehet ajo.

Por, tmerri i asaj dite për Vasfijën nuk ishte ndalur me kaq. Ajo shprehet se ishte dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.

“Pastaj është kthyer në makinë dhe ka ardhur një tjetër; ai nuk ka qenë me rroba të policisë, por me rroba civile. Më ka dërguar në një shtëpi tjetër afër shitores së fshatit Babimovc. Kur është kthyer ky i vjetri prapë në makinë, ka kaluar një ushtar aty pranë. I kam thënë që unë dua vetëm të shkojë në shtëpi. Ai më ka thanë: ‘Mos trego ku je kanë, thuaju në shtëpi se ke qenë me dhënë deklaratë në polici’. Më ka thanë që nëse u tregon familjarëve ne kemi me të vra”, rrëfen Vasfije Krasniqi-Goodman.

36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.