Sekretari i Sindikatës së Infermierëve, Enlirat Duraku, ka hyrë në grevë urie tash e katër ditë, njofton Insajderi.
Grevës sot i është bashkuar edhe zëvendësi i tij, Mentor Sejdiu.
Me kërkesat e rritjes së pagës së ndërrimeve të natës, pagës së orëve shtesë dhe punës gjatë vikendeve dhe pagesën për rrezikshmërinë në punë, ata janë futur në grevë duke paralajmëruar se nuk do të ndalen derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Sejdiu me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se prej sot edhe ai i është bashkangjitur grevës së urisë.
“Duke vërejtur vendosmërinë e sekretarit Enlirat K.Duraku i cili përkundër problemeve shëndetësore që i kanë filluar, i qëndron besnik kërkesave të infermierëve, prej sot unë kam vendosur t’i bashkëngjitëm grevës së urisë deri në realizimin e kërkesave së bashku me sekretarin Duraku”, ka shkruar ai.
Ndërsa, Duraku ka shkruar sot se përkundër problemeve shëndetësore që ka nuk do të ndalet derisa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe SHërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës të plotësojnë kërkesat e tyre. /Insajderi.com