Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti kanë një punë të përbashkët që lidhet direkt me Isa Mustafën, nëse ata dëshirojnë që të qojnë planet e tyre përpara.
I pari, nëse dëshiron që të kalojë demarkacionin me Malin e Zi në këtë formë si është tani, e të cilën e ka kundërshtuar përgjatë kohës sa ishte Mustafa kryeministër, duhet të kërkojë falje për të gjithë atë kundërshtim që e ka bërë.
I dyti, nëse dëshiron bashkërendimin të veprimeve me LDK-në kundër Qeverisë Haradinaj, duhet të kërkojë falje për veprimet kundër Mustafës dhe familjes së tij të bëra nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kësisoj, ish-kryeministri dhe kryetari i LDK-së, e ka vënë vetën si faktor kyç për të dyja partitë që e kanë kundërshtuar ashpër atë sa ka drejtuar Qeverinë e Kosovës.
Në fund të muajit gusht, teksa Haradinaj me PAN-in nuk po mund ti bënin votat për të themeluar Qeverinë, Mustafa zhvillonte bisedime me partinë tjetër, Lëvizja Vetëvendosje. Në atë kohë, Mustafa doli me një kërkesë, e cila vuri në pikëpyetje arritjen e një marrëveshje mes dy partive.
I kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje që të kërkonte falje. Për çka?
Mustafa thoshte se është obligim moral, politik e njerëzor që Lëvizja Vetëvendosje të dal dhe të sqarojë të gjitha sulmet, kërcënimet, dosjet e dërguara në prokurori dhe shumë çështje tjera të bëra ndaj tij.
“Po tash unë nuk kisha dashur që fati i shtetit ose funksionimi i qeverisjes së vendit të ndërlidhet me rastet individuale, as me rastin tim. Është çështje edhe e obligimit politik dhe obligimet njerëzore dhe morale të Vetëvendosjes që ata t’i sqarojnë këto çështje, sepse në qoftë se sulmohet shtëpia e një kryeministri, në qoftë se sulmohet familja e kryeministrit, në qoftë se një kryeministër shpallët tradhtarë, ose në qoftë se ndaj një kryeministri i epen 70 dosje dhe pastaj gjithë ato në një moment harrohen dhe thua se jo, jo, unë me ty po dua të lidhi koalicionin sepse me ju mund të qeverisi, atëherë këtu diçka nuk është në rregull. Ose nuk e kanë pasur mirë atëherë, ose nuk e kanë mirë tani, do të thotë këtu një defekt është në politikat tona”, kishte thënë Mustafa në një intervistë për Kosovapress.
E një ditë pasi ia dorëzoj Haradinajt postin e kryeministrit, Mustafa ka pasur një kërkesë të njejtë për Haradinajn, i cili tash duhet ta qoj në fund, demarkacionin me Malin e Zi.
Ish-kryeministri Isa Mustafa i cili është përballur me një bllokim të punës së tij, pikërisht nga kryeministri i tanishëm i vendit, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij, tashmë në opozitë, do ta votojë demarkacionin me Malin e Zi, vetëm nëse Haradinaj do ta sjellë kufirin në Qakor.
“Ne do ta votojmë demarkacionin me dy duar nëse Haradinaj e bjen kufirin në Qakor”, ka thënë Mustafa në Rubikon të KTV-së.
Mustafa: E votojmë demarkacionin nëse Haradinaj e sjellë kufirin në Qakor
Ndërsa versionin e tanishëm, të cilën e ka mbrojtur Mustafa sa ka qenë kryeministër, ka thënë se LDK-ja do ta votojë nëse Haradinaj do të kërkonte falje për të gjithë akuzat që ka pasur se “Qeveria Mustafa po e shet Kosovën”.
“E këtë version do ta votojmë vetëm nëse Haradinaj do të na sqarojë se për çfarë na kanë akuzuar. Nuk mund ta votojmë për një çështje për të cilën gati e kanë kallur krejt Kosovën. Ai duhet të kërkojë falje publikisht dhe të thotë se gjithë atë bllokim e ka bërë për interesa politike”, ka thënë Mustafa.
Kësisoj, Haradinaj dhe Kurti duhet ta përmbushin këtë kërkesë të Mustafës në rast se ata dëshirojnë që t’i qojnë idetë e tyre përpara./Insajderi.com