Dy kryetarë komunash nga LDK me aktakuza të ngritura

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria e Shtetit. Muhaxheri dyshohet për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore, ndërsa Rugova akuzohet për korrupsion.

Dy kryetarë komunash nga LDK me aktakuza të ngritura

Para tri vitesh, kur Lidhja Demokratike e Kosovës mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i zgjedhur Isa Mustafa u zotua se kabinetin qeveritar të tij nuk do ta përbënin njerëz me aktakuza.

“Përmirësimi i renditjes së Kosovës në raportin e TI-së është rezultat i hapave konkret që kemi ndërmarrë duke filluar që nga suspendimi i çdo zyrtari ndaj të cilit është ngritur aktakuzë”, ishte zotuar Mustafa.

Mirëpo, qeverisja e LDK-së në nivel qëndror nuk zgjati më shumë se tri vite. Tani, partia e Isa Mustafës udhëheq me tetë komuna në Kosovë.

E dy njerëz të LDK-së që janë në krye të dy prej këtyre gjashtë komunave: Gazmend Muhaxheri në Komunën e Pejës dhe Haki Rugova në Komunën e Istogut, kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria e Shtetit.

Veprimi me të cilin dikur krenohej Isa Mustafa në qeverisjen qëndrore, tani i është kthyer në njollë të zezë për Lidhjen Demokratike – të cilën ai e udhëheq prej gati 8 vitesh.

Në maj të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Pejë ngriti aktakuzë kundër kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, për shkak të dyshimit se ai ka kryer veprën penale: “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Sipas aktakuzës, Muhaxheri, si person përgjegjës – në mars të vitit 2016 – në cilësinë e kryetarit të Komunës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës.

11 muaj më vonë, të hënën e 16 prillit, Prokuroria Themelore në Gjakovë ngriti aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Rugova akuzohet se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit, duke i dhënë tender vëllait të tij, Gani Rugovës, në vlerë rreth 300 mijë euro.

Në aktakuzë thuhet se Rugova, duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë. /Insajderi.com