fbpx

Dy kundërshtarë politik dhe dy deputete të heshtura nisen në lobim për viza

Dy kundërshtarë politik dhe dy deputete të heshtura nisen në lobim për viza

Dy kundërshtarë politik do të ribashkohen përsëri, kësaj radhe jo për qëndrimet e tyre të përbashkëta politike, por për të lobuar që kosovarët të lëvizin lirshëm pa viza.

Aida Dërguti, sa kishte qenë anëtarë e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte përdorur terme ofenduese ndaj Albin Kurtit, kryetarit të parë të kësaj partie. Ajo e kishte ofenduar Kurtin përmes platformës komunikuese ‘Viber’ duke e quajtur “m**”.

Që nga ajo kohë ishte bërë e ditur edhe për publikun përçarja e Lëvizjes Vetëvendosje, ku më pas nga ky subjekt politik u larguan 13 deputetë dhe shumë anëtarë të tjerë të kësaj VV-së, raporton Insajderi.

Dërguti dhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca do të behën përsëri së bashku me kërkesën e Kadri Veselit.

Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Veselin për në Austri do ta shoqërojnë nga një deputetë të grupeve parlamentare. Konjufca do ta shoqërojë Veselin nga Vetëvendosje ndërsa Dërguti nga PSD-ja.

Synimi i Veselit dhe ekipit të tij në Austri do të jetë lobimi për liberalizimin e vizave për Kosovën. Gjatë qëndrimit në Vjenë, Kryeparlamentari Kadri Veseli do të pritet në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Në takim me homologun austriak, Kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për procesin e integrimeve evropiane të vendit, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave.

Përveç Konjufcës dhe Dërgutit, Veseli do të ketë në përbërje të ekipit edhe dy deputetet fjalë pakë në Kuvendin e Kosovës. Teuta Rugova nga LDK dhe mbesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Evgjeni Thaçi- Dragusha do ta shoqërojnë Veselin në misionin për liberalizimin e vizave të kosovarëve.

Në këtë ekipi po ashtu do të jenë edhe Time Kadriu nga AAK, Adem Hodza nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga KDTP./Insajderi.com