Dy milionë euro të zhdukura nga Thesari i Shtetit: Në Ministrinë e Financave thirret konferencë për media

Dy milionë euro të zhdukura nga Thesari i Shtetit: Në Ministrinë e Financave thirret konferencë për media

Ministria e Financave ka thirrur konferencë për media në ora 15:45, pas raportimeve për zhdukjen e dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, transmeton Insajderi.

Plot dy milionë euro janë avulluar nga Ministria e Financave. Objektiv merr vesh se parat janë tërhequr nga Thesari i Shtetit i kësaj ministrie, e të cilat nuk dihet ende se ku kanë përfunduar.

Kjo ka bërë që Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, mbrëmjen e së martës ka ndërmarrë një aksion në këtë ministri, meqë rast ka arrestuar një person, zyrtar i Ministrisë së Financave, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në arrati.

Këtë aksion e ka konfirmuar edhe Policia, të cilët bëjnë të ditur se po ashtu kanë bastisur edhe shtëpitë e personave të dyshuar për këtë rast.

“Policia e Kosovës, në këtë rast datës 20.10.2020, ka ndërmarrë një operacion policor në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër edhe Prokuroria e Shtetit tashmë ka nisur hetimet lidhur me këtë rast, zëvendës-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha ka thënë për gazetën Objektiv se rasti është në fazën fillestare.

“Jemi në fazën fillestare të hetimeve. Momentalisht nuk mund të japim më shumë detaje sepse e dëmtojmë rastin”, tha shkurtimisht ai. /Insajderi.com