Dy mjekë nga Kosova pjesë e gërmimeve në Kizhevak të Serbisë

Dy mjekë nga Kosova pjesë e gërmimeve në Kizhevak të Serbisë

Dy mjekë ligjorë të Kosovës po marrin pjesë në gërmimet në Kizhevak afër Rashkës të Serbisë, ku dyshohet se janë prej shtatë deri në 20 mbetje mortore nga lufta e fundit në Kosovë, transmeton Insajderi.

Atje ku dyshohet për mbetje mortore të shqiptarëve janë të angazhuar ekipe nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur,  misioni i EULEX-it, përfaqësues nga Serbia dhe mjek ligjorë nga Kosova, që kanë nisur punën para dy javëve.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, thotë se nuk mund të flitet saktësisht për numër të mbetjeve mortore që pritet të jenë në këtë vend dhe se nuk dihet saktësisht sa do të zgjas procesi i gërmimit.

Ndërsa, Arsim Gërxhaliu nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore thotë se puna në këtë terren është e vështirë.

Ndërkohë, një shifër për numrin potencial të gjetjeve mortore në këtë lokacion ka dhënë Mathew Holliday, shefi i Programit për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur.

Ai për REL ka konfirmuar se bëhet fjalë për 7-20 raste të mbetjeve mortore që mund të nxirren nga gërmimet. /Insajderi.com