Ndjekja penale ndaj Radovan Radiq dhe Millovan Vllaskoviq, dy nga katër të dyshuarit për vrasjen e Enver Zymberit pushori, pasi në prill të vitit 2015 gjykatësit e EULEX-it i shpallën të pafajshëm. Dy persona tjerë janë duke u kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, pasi ende ndodhen në arrati.

Në prill të vitit 2015, dy nga katër të akuzuar për vrasjen e policit Enver Zymberi, pjestarit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ishin shpallur të pafajshëm, nga një trup gjykues prej tre gjyqtarësh të EULEX-it.
Provat e Prokurorisë nuk e kishin bindur gjykatën se Radovan Radiq dhe Millovan Vllaskoviq, kanë marrë pjesë në vrasjen e pjesëtarit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës natën në mes të 25 dhe 26 korrikut 2011, shkrun Insajderi.
Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk është vërtetuar pretendimi përtej dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale.
Të akuzuar lidhur me vrasjen e Enver Zymberit në një gjykim tjetër janë edhe Sllobodan Sovrlliq dhe Radomir Kasalloviq.
Dy persona tjerë po për këtë vrasje janë duke u kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, pasi ende ndodhen në arrati.
Të gjithë së bashku ngarkoheshin për veprat penale vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim të paautorizuar të armëve, pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, rrezikim i trafikut me veprime ose mjete të rrezikshme, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe pjesëmarrje në një turmë që kryen vepër penale.
Aktakuza ishte ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Shyqyri Syla dhe Prokurorit të EULEX-it Pascal Persoons, shkruan Insajderi.
Në aktakuzën nuk ishte përcaktuar se cili prej të akuzuarve e ka vrarë policin Zymberi. Aktakuzën e ka bazuar në dëshminë e një pjesëtari të Policisë që ishte në aksion. Ai është i nacionalitetit serb dhe aktualisht ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur.
Aktakuza pretendonte se rreth 50 pjesëtarëve të Njësisë speciale operative – ROSU dhe një grupi 10 deri 15 personash serb kishin shkërmbyer zjarr për rreth 20 minuta në afërsi të fshatit Çabër më 26 korrik 2011.
Sipas deklaratave të dhënë prej dëshmitarëve, tetë deri në dhjetë persona kishin dalë prej makinave dhe kishin nisur të përlaheshin me oficerët e Policisë.
“Me arritjen e makinës së blinduar në vendin ku ishte rruga e bllokuar, 8-10 persona të cilët po qëndronin prapa barrikadës u larguan dhe u futën malit në anën e majtë. Në momentin kur personi i parë u largua nga barrikada, u dëgjua e shtëna e parë, dhe oficerët e Policisë së Kosovës të përfshirë në operacion menjëherë u informuan se njëri prej tyre ishte plagosur rëndë. Të shtënat pasuese kanë ardhur nga anën e majtë e ROSU-së”, shkruan më tej në aktakuzë.
Një aksion si në filma – si u vra Enver Zymberi. /Insajderi.com