Dy ofertat e Albin Kurtit të cilat u refuzuan nga Isa Mustafa

Dy ofertat e Albin Kurtit të cilat u refuzuan nga Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar dy ofertat e fundit të propozuara nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin e mbajtur të hënën në Kuvendin e Kosovës.

Siç ka mësuar Insajderi nga burime brenda takimit, Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar LDK-së ofertën më të gjerë deri më tani në negociata.

LDK-ja e ka refuzuar këtë ofertë. Madje më të zëshmit në këtë refuzim kanë qenë kryetari Isa Mustafa dhe nënkryetari Agim Veliu.

Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, i ka ofruar shtatë ministri për LDK-në dhe zgjedhjen e tyre siç dëshiron LDK-ja – përfshirë edhe zotimin për presidentin, raporton Insajderi.

Madje, Kurti ka propozuar edhe një ofertë tjetër, e cila vjen si pasojë e kërkesës së LDK-së për të mos e rritur numrin e ministrive.

Kjo ofertë parasheh gjashtë ministri për Lidhjen Demokratike dhe katër për Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, as ky propozim nuk është pranuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila insiston në dorëheqjen e Glauk Konjufcës.

Ky refuzim i LDK-së është refuzuar kategorikisht nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dhënë argumentet e saj të ripërsëritura se Konjufca është zgjedhur nga një proces demokratik, në të cilin ka marrë pjesë edhe LDK-ja. /Insajderi.com