Dy partitë që nuk e respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike nuk janë duke e pranuar rezultatin e zgjedhjeve në komunat e Prishtinës dhe Prizrenit, duke konestuar kështu edhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme; aktgjykim ky që është vendim i formës së prerë, në të cilin nuk kanë të drejtë ankese. 

Dy partitë që nuk e respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme

Një vendim i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërim të votave të balotazhit në komunat e Prishtinës dhe Prizrenit para se të numëroheshin votat me kusht dhe ato me postë, nxiti Lëvizjen Vetëvendosje që të kërkonte anulimin e këtij vendimi nga Gjykata Supreme.

Kësisoj, ankesa e paraqitur nga subjekti që doli i pari në komunat e Prishtinës dhe Prizrenit – pas publikimit të rezultateve preliminare – mori përgjigje pozitive nga Gjykata Supreme.

Të shtunën, paneli i gjykatësve të Supremes miratoi ankesën e Vetëvendosjes kundër vendimit të PZAP-së që çonte në rinumërim kutitë e votimit në Prishtinë.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, ka marrë vendim që të pranohet si e bazuar ankesa e subjektit politik Vetëvendosje, dhe të ndryshohet vendimi i PZAP-së, ashtu që refuzohet ankesa e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të rinumërohen-rivlerësohen fletëvotimet e pavlefshme”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) numëroi votat me kusht dhe me postë në Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit.

Lëvizja Vetëvendosje doli fituese e zgjedhjeve në kryeqytet, me Shpend Ahmetin që fitoi edhe një mandat 4-vjeçar. Po ashtu, partia e Visar Ymerit triumfoi edhe në Prizren, ku kishte kandiduar Mytaher Haskukën.

Por, këto rezultate nuk janë pranuar nga dy partitë kundërshtare të VV-së në dy komunat ku kontestohej rezultati i zgjedhjeve të 19 nëntorit: PDK dhe LDK.

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike nuk janë duke e pranuar rezultatin e zgjedhjeve në komunat e Prishtinës dhe Prizrenit, duke konestuar kështu edhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme; aktgjykim ky që është vendim i formës së prerë, në të cilin nuk kanë të drejtë ankese.

LDK kundërshton rezultatet në Prishtinë dhe Dragash

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një reagimi për media pas numërimit të votave me kusht në Prishtinë, tha se do “të përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet lokale, veçmas në rastet në të cilat janë evidentuar parregullësi, siç janë Prishtina dhe Dragashi”.

Partia e Isa Mustafës, në këtë reagim, konsideroi se vendimi i Gjykatës Supreme kundër rinumërimit në Prishtinë, cenon të drejtën kushtetuese të kandidatit të LDK-së, sepse, siç tha nuk ia jep mundësinë që në mënyrë transparente të vërtetohen rezultatet përmes procesit të rinumërimit.

Ndërkaq, PDK – Dega në Prizren tha se e njeh si fitues të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale vetëm kandidatin e saj, Shaqir Totaj, duke anashkaluar aktgjykimin e Gjykatës Supreme. /Insajderi.com

Sekretari i PDK-së në Prizren s’e pranon fitoren e Haskukës